Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi sot një takim me diasporën shqiptare në New Jersey të SHBA-së.
Gjatë fjalimit, Berisha u ndal te rikthimi i tij në Shtetet e Bashkuara, duke e cilësuar si një moment emocionues ku siç e thekson ai, katër vite më parë iu mohua hyrja.
“Për ne sot, kjo është një ditë jo e zakonshme. Sot është një ditë që për mua përsëri ngjall emocione. Është një ditë që shumëkush e ka menduar të pamundur. Kush jemi ne për të sfiduar një padrejtësi, kur ajo padrejtësi bëhet nga forca shumëfish më të mëdha se ne.
Në një kohë kur unë isha, 8 vite pa asnjë pushtet, thuajse i tërhequr plotësisht nga jeta politike. Por, me fuqinë që na karakterizon ne si shqiptarë, me besimin e palëkundur tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vlerat mbi të cilat është ndërtuar ky vend e komb i madh, vend i të lirëve, shtëpi e guximtarëve”, tha ai.
Berisha deklaroi se beteja e tij ndaj vendimit për ndalimin e hyrjes në SHBA ishte një agresion i padrejtë ndaj dinjitetit të tij.
“Kjo ditë shënon pra një nga ato raste, forcë e të keqes që të gjithë e njohim në një agresion të padrejtë ndaj dinjitetit tim, më mohoi hyrjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës 4 vite më parë.
I qartë si kristali se kjo padrejtësi nuk po vinte nga Shtetet e Bashkuara, por po vinte nga axhendat antiliri, antikomb, të asaj që vetë presidenti Donald Trump e ka emërtuar si ekstremi i majtë.
Në të njëjtën kohë që unë zhvillova këtë betejë, populli i madh amerikan vendosi të ringrihet duke zgjedhur si president Donald Trump në nëntor të vitit 2024. Pak nga pak, bota e lirë filloi të ringrihet nga agresioni i ekstremit të majtë, dhe efektet erdhën deri në Shqipëri. Ata që na treguan ne barin, përfunduan të papunë”.
Kryedemokrati vlerësoi gjithashtu mbështetjen e diasporës shqiptare dhe shprehu mirënjohje për Presidentin Donald Trump dhe Sekretarin e Shtetit Marco Rubio.
“Ata që firmosën ndalimin tim, sot janë non-grata vetë në vendin e tyre. Ata që përgatitën mashtrimet ndaj meje në Shqipëri, sot janë prapa hekurave, ndërsa unë sot po qëndroj me dy këmbë mbi atë tokë që ata mendonin të ma ndalonin përgjithmonë.
Ndaj dhe unë sot, kam një mirënjohje të pakufishme ndaj jush, burra, gra, djem dhe vajza, shqiptarë të vërtetë që më mbështetët në orët më të para por dhe ndër më të vështirat.
Mirënjohje të pakufishme ndaj administratës së presidentit Donald Trump, sekretarit të Departamentit të Shtetit, Marco Rubio, për vendimin e tij”, u shpreh Sali Berisha.



