Berisha: 11 Shkurt, ora 12:00 dita e revolucionit ku shqiptarët do përmbysin monizmin

“Data 11 Shkurt, ora 12:00 do të jetë dita e revoltës, e protestës, e fillimit të revolucionit më të fuqishëm ku shqiptarët do të përmbysin monizimin e bazuar në krimin, drogën dhe vjedhjen e tmerrshme të tyre”, ishte ky paralajmërimi i kryetarit të Partisë Demokratike Sali Berisha për protestën e opozitës.

Sali Berisha: Data 11 ora 12:00 e këtij muaji do të jetë dita e revoltës, e protestës, e fillimit të revolucionit më të fuqishëm që Shqipëria ka njohur  në historinë e saj. Revolucion paqësor, por revolucion në të cilin shqiptarët do të përmbysin monizimin e bazuar në krimin, drogën dhe vjedhjen e tmerrshme të tyre.

 

Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, kryedemokrati Berisha iu kanë dhënë detyrat anëtarëve të grupit. Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati është shprehur i bindur se ajo që ai e quan revolucion nuk do të dështojë kurrë dhe do të njohë vetëm fitore teksa ka thënë se duhet shpëtuar Shqipëria nga Kryeministri Edi Rama.

Sali Berisha: Ne si grup parlamentar kemi detyrë të madhe, së pari në një debat dhe dialog intensiv me zgjedhësit tanë, t’u qartësojmë gjithçka.  Pse është jetike kjo betejë, ky revolucion. Do e dorëzojmë ne? Kurrë, ky revolucion nuk do dështojë kurrë. Ky revolucion do të njohë vetëm fitore. Duhet të shpëtojmë Shqipërinë nga ky njeri. Ju jeni dëshmitarë se çfarë qëndrimesh mbahen ndaj nesh në parlament. Ju duhet të sqaroni zgjedhësit se ata nuk e dinë se në ç’mënyrë të turpshme dhe banditeske, sillet me urdhër të Edi Ramës, Linda e parlamentit.

Duhet ta dinë se çfarë intrigash të ulëta thuren ndaj deputetëve shqiptarë në parlament. Siç na takonte dhe siç prisnin shqiptarët dhe miqtë tanë, kërkuam debat, firmosëm për të kërkuar debat për këtë aferë që ka tronditur, ka ulur në pikën më të thellë marrëdhëniet mes dy vendeve. Çfarë u bë? Refuzuan në mënyrë antiligjore. Lexuan ato që kishin dhe votuan në mënyrë kriminale dhe staliniste propozimin e Alibashës për përjashtimin nga grupi parlamentar. Alibasha i marrë peng me dosje, nënshtrohet verbërisht urdhrave të Lindës dhe Edi Ramës.

Çfarë do të thotë kjo, duhet t’ia sqarojmë qytetarëve: si mund të pranohet përjashtimi i katër deputetëve pa asnjë ligj, pa asnjë rregull, pa asnjë gjë. Sot nuk përjashton dot katër nxënës nga klasa. Kurse këta sillen si banditë, si njerëz që ndajnë flligështinë më të madhe me njëri-tjetrin. Ne do ngrihemi, kjo situatë nuk mund të pranohet./tvklan.al

 

 

 

Të Fundit