Basha nis fushatën: Do jem modeli i politikanit jokonfliktual

Lulzim Basha ka nisur të hënë fushatën për kreun e PD në një takim me bazën në degën nr.4 në Tiranë.

Basha tha se qëllimi i tij është të bëjë ndarjen përfundimtare nga e shkuara dhe rinovimin e partisë, që siç tha është e vonuar.

Ish-kreu i PD pranoi se ka përgjegjësinë e tij në këtë situatë, por theksoi se do vendosë energjinë e rinisë përpara dhe pjekurinë e mençurinë e përvojës si mbështetje

“Ne ndahemi nga mentaliteti i turmës, ku fajet bëhen kolektive për t’i ikur përgjegjësisë. Ata që shkelin ligjin dhe abuzojnë me pushtetin janë thjesht fajtorë. Vetting-u i politikanëve është kontributi më i rëndësishëm që gjithkush që e konsideron veten të pastër mund të japë për një politikë të pakorruptuar dhe inkriminuar, që i jep fund politikës së përbaltjes. Kjo përballje nuk është aspak e lehtë. Ata kanë kaluar 32 vjet me pushtet dhe janë bashkë për të ruajtur status quo-në.  Por, siç e dëshmon historia, atëherë kur duken më të fortë, perandoria e tyre shembet më shpejt. Me besimin tuaj do të jem kryetari i Partisë Demokratike dhe politikani që jep një model ndryshe nga ai konfliktual, me të cilin qytetarët janë mbingopur gjatë tranzicionit. Do të jem politikani që problemet personale të pushtetit, nuk i kthen në problemin e partisë, aq më pak të Shqipërisë”, tha Basha.

Të Fundit