U kap mat duke marrë ryshfet nga Stop, pedagogët reagojnë për rektoren Golemi: E turpshme!

Sindikata: Senati duhet të distancohet, nuk kemi besim te drejtësia

Sindikata e Pedagogëve në Shkodër i kërkoi Senatit të Universitetit të distantohet nga rektorja Suzan Golemi dhe pedagogia Donalda Lecaj, të cilat janë proceduar për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Ato u denoncuan nga emisioni Stop në Tv Klan pasi u merrnin para studentëve për t’i kaluar në provim.

“Shpreh indinjatën time për sjelljen e drejtuesve të universitetit. Ka 4 ditë që nuk po bën një deklaratë zyrtare për këtë situatë që është e turpshme. Nuk mund të bëjmë sikur nuk ndodhi gjë, kur të njëjtat persona që janë drejtuese janë shoqe të rektores së shpallur në kërkim. Nuk kam besim tek organet e drejtësisë sepse ka pasur raste të tjera që janë arrestuar në flagrancë dhe janë lëshuar pas 6 muajsh. Më parë ka ndodhur vetëm me pedagogët, por jo me drejtuesit”- tha Saraçi.

Rektorja e Universitetit të Shkodrës, “Luigj Gurakuqi”, Suzana Golemi është shpallur në kërkim nga policia e Shkodrës më datë 22 Qershor, një ditë pas publikimit të skandalit ndërsa pedagogia po hetohet në gjendje të lirë.

Siç shihet dhe në video, bashkëpunëtori i emisionit investigativ i zgjat zarfin me 150 euro rektores Golemi. Pasi e shtyn disa herë, rektorja e vendos në tavolinën e saj dhe i premton se do i vendosë notë kaluese në provim.

Një tjetër denoncues i tha emisionit “STOP” se është detyruar të paguajë pedagogen Donalda Lecaj për të marrë provimin e biokimisë. Zarfin me emrin e tij ia dorëzoi në një klasë, ku nuk kishte studentë.

Pas këtij denoncimi ministrja Kushi pezulloi nga detyra rektoren Suzana Golemi.

Të Fundit