Basha hap fushatën në Tiranë: Më 11 maj, të korruptuarit le të qëndrojnë në shtëpi

Koalicioni Euroatlantik i Lulzim Bashës, ish-kreu i PD-së, hapi këtë të shtunë fushatën elektorale për zgjedhjet e 11 majit.

Gjatë fjalës së tij para mbështetësve dhe kandidatëve të këtij koalicioni, Basha tha se Shqipëria duhet të ndahet nga kultura e pandëshkueshmërisë dhe të fortëve, duke nisur me politikanët e korruptuar dhe të pandëshkuar të 35 viteve të tranzicionit.

Duke ironizuar kryeministrin Edi Rama, Basha u shpreh se është koha që të korruptuarit të qëndrojnë në shtëpi, ndërsa shtoi se Rama ka dështuar gjatë 12 viteve të qeverisjes së tij.

“Shqipëria meriton të mbyllë derën e tranzicionit dhe të hapë derën e progresit të vendit, duke u shpëtuar nga korrupsioni. Kemi 12 vjet dështim, korrupsion dhe mashtrim nga Edi Rama dhe qeveria e tij. Ju premtoi ndryshim në 2013 dhe solli Ilir Metën dhe një tufë deputetësh që u larguan nga ligji i dekriminalizimit pasi kishin qenë të dënuar. Tani kërkon katër vjet të tjera, vetëm me Edin, sepse gjysmën e shokëve i ka te i ka 7×7 bëjnë 313, të tjerët nën hetim. Njeriu që premtoi shpresë, ndryshim dhe progres, solli korrupsion dhe vjedhje si asnjëherë më parë. Solli rekordin e gjysmës së kabinetit në burg dhe gjysmën tjetër nën hetim. Prandaj, më 11 maj, le të qëndrojnë në shtëpi të korruptuarit e Edi Ramës, le të qëndrojnë në shtëpi ata që u heqin bukën familjeve të varfra. Në 11 maj çdo shqiptar e ka alternativën, e ka koalicionin Euroatlantik, ekipin tonë të mrekullueshëm”, tha Basha.

Në mbështetje të Bashës në këtë takim të hapjes së fushatës ishte Hans-Joachim Falenski, këshilltar i Gunther Krichbaum, zëdhënës për çështjet europiane i CDU në Bundestagun gjerman.

Ai përcolli një mesazh të qartë dhe kritik ndaj qeverisë aktuale, duke theksuar mbështetjen e CDU-së për Koalicionin Euroatlantik.

“Korrupsioni është pothuajse kudo – nuk mund të jetosh pa paguar njerëz të caktuar,” – tha ai, duke iu referuar raportit të BE-së për Shqipërinë. “Kudo dhe kurdo që të kesh të bësh me qeverinë, përballesh me korrupsion. Është bërë një tumor. “Shqetësim serioz” në zhargonin e BE-së do të thotë: “O njerëz të qeverisë Rama, shtëpia juaj po digjet!”. Dhe i vetmi zjarrfikës është SPAK-u – të cilin po përpiqeni ta pengoni”, tha ai.

“I dashur Lulzim! Në Gjermani po ndiqet me shumë vëmendje sa i fortë dhe guximtar je për të luftuar korrupsionin dhe për të siguruar që SPAK të mund të kryejë punën e tij pa pengesa. Për këtë të jemi shumë mirënjohës! Dhe gjithashtu po shihet qartë kush nuk po angazhohet për këtë, megjithëse është i detyruar nga pozita e tij qeveritare. Por ju, miqtë e Koalicionit EuroAtlantik, tregoni me fjalë dhe vepra se jeni të vendosur ta luftoni korrupsionin! Faleminderit! Vazhdoni kështu në këtë rrugë!”, u shpreh Hans-Joachim Falenski.

Të Fundit