Basha fton qytetarët: Pa vonesë të nisim një rrugëtim sëbashku, lista të hapura 100%

Ish kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i është rikthyer pas më shumë se një viti skenës politike.

Në takimin e tij me të rinjtë në Tiranë, Basha i ftoi të gjithë qytetarët të bëhen bashkë për të nisur një rrugë të re që do t’u mundësojë shqiptarëve fuqinë e votës.

Kjo e fundit, thotë Basha arrihet vetëm përmes listave të hapura zgjedhore.

“Kjo është një nga projektet për të cilat dua të ftoj të gjithë ata që të nisim bashkë një rrugëtim më këtë propozim për të ndryshuar sistemin e falimentuar politik të Shqipërisë, për t’i dhënë fund kapjes së shtetit. E duam këtë gjë apo jo? Jam i bindur që e duam sepse është një nga gjërat që kam dëgjuar nga gojët e bashkëqytetarëve të mi, është koha të nisim një rrugëtim për ta bërë realitet, duke përdorur atë hapësirë që kemi sot për t’ju imponuar politikës së mbrapshtë, politikës së vjetër që do të mbajë çdo vendimarrje në dorën e vet.

Nuk ka rrugë tjetër për të rifituar besimin e qytetarëve. Një nga pyetjet që kam hasur më shpesh kur kemi debatuar këtë temë është: pse duhet tu besojmë politikanëve?! Ftesa ime sot është të mos u besojmë politikanëve! Ftesa ime është të ndalim së besuari pretendimin e besimit te politikanët dhe qytetarët ta marrin besimin në duart e tyre dhe ftesa ime ndaj çdokujt që i dhimbset ky vend, ndaj çdo të riu e çdo të reje është pa vonesë të nisim rrugëtimin për këtë ndryshim thelbësor në demokraci, listat e hapura 100%”, deklaroi ish kreu i PD.

Për ta kuptuar më konkretisht këtë propozim të Bashës, me lista të hapura, votuesi ka mundësi të shënojë një ose më shumë kandidatë që preferojnë në listën për deputetë që ka secila parti.

Pas numërimit të votave dhe ndarjes së mandateve, në bazë të rezultatit vijohet me numërimin e votave të kandidatëve. Nëse një subjekt politik siguron 3 mandate, deputetë bëhen ata kandidatë që janë votuar më shumë nga populli pavarësisht renditjes që kanë pasur në listat e firmosura nga kryetarët e partive të tyre.

Të Fundit