E Hënë, 23 Nëntor 2026
Lajm i fundit
“Seksi më i shtrenjtë që nga koha e Helenës së Trojës”, senatori amerikan tallet me skandalin e shefit të Nvidia-s: Shpresoj ta ketë shijuar Durrësi harron tërmetin, KLSH: Bashkia nuk zbatoi qindra vendime për prishjen e ndërtimeve të paligjshme “Liria e fjalës nuk është pronë e profileve anonime”, Kumbaro reagon pas sulmeve online ndaj të rinjve pjesë e takimit me Kryeministrin Raporti, gjysma e familjeve shqiptare nuk përballojnë një shpenzim të papritur prej 1,000 eurosh pa borxh Rama: S’mendoj se duhet të zgjedh, ose mik me Mickoskin, ose me shqiptarët A është i vërtetë apo i rremë i famshmi Këmbëmadhi? Administrata Trump publikon përgjigjet Xhensila Myrtezaj përfundon në gjyq për evazion fiskal, dyshohet se fshehu mbi 60 milionë lekë të ardhura “Është në lojë jeta ime”, Veliaj: Nuk refuzoj operacionin, por dua të zgjedh vetë mjekun dhe spitalin Spiropali: Nuk pendohem, nuk gjunjëzohem dhe nuk pres mëshirë Trump për sulmin kibernetik ndaj FBI-së: Nuk më pëlqen, por ndoshta do të mësojmë gjëra që nuk i dinim
Aktualitet

Bankat do të “hyjnë” në e-Albania nga janari i vitit të ardhshëm

Duke filluar nga fillimi i vitit të ardhshëm, bankat tregtare dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) pritet të nisin ndërveprimin midis portalit E-Albania dhe platformave bankare të internet banking.

Kjo do të mundësojë kryerjen e pagesave të tarifave për shërbimet e ofruara nga e-Albania direkt nëpërmjet llogarive bankare.

Burime nga sektori bankar bëjnë të ditur se ndërveprimi do të bëhet me një autentifikim të veçantë të klientit për hyrjen në platformën e e-banking nga e-Albania, të njëjtë me procedurën që ndiqet për akses nëpërmjet faqes apo aplikacionit të bankës.

Ky filtër sigurie tenton të parandalojë ekspozimin e të dhënave të llogarive bankare ndaj rreziqeve të sigurisë që mund të vijnë nga sulmet kibernetike.

Këtë vit, platforma e shërbimeve publike online, e-Albania, u bë objekt e një sulmi të rëndë kibernetik, që shkaktoi pezullimin disajavor të ofrimit të shumë shërbimeve dhe mbi të gjitha solli një rrjedhje masive të të dhënave personale dhe sensitive të administruara nga institucionet publike.

Në fakt, analiza e kryer nga kompania Microsoft tregoi se hackerat ishin infiltruar brenda platformës prej më shumë se një viti dhe strukturat e AKSHI nuk kishin arritur as ta parandalonin, madje as ta konstatonin praninë e tyre, deri në verën e këtij viti.

Bankat i rezistuan këtë vit presionit nga qeveria shqiptare për t’i ofruar akses portalit e-Albania në platformat e tyre online, pikërisht për shkak të shqetësimeve të lidhura me sigurinë e informacionit.

Deri tani, pagesat online në portalin e-Albania mundësohen vetëm nëpërmjet POS-it virtual (shërbimit e-commerce) që ofrohet nga njëra prej bankave tregtare në vend. Ky shërbim është më i kufizuar, sepse mundëson vetëm kryerjen e pagesave me kartë bankare, ndërsa duke përdorur ndërveprimin me platformat e e-banking, qytetarët dhe bizneset do të kenë mundësi që pagesat t’i kryejnë direkt nga llogaritë e tyre.

Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit 2021, numri i llogarive bankare të lidhura me internetin arriti në afërsisht 709 mijë, në rritje vjetore me 21%. Numri i llogarive të lidhura me internetin në fund të vitit të kaluar përbënte rreth 23.2% të totalit të llogarive bankare, ndërsa një vit më parë vetëm 19.8% e llogarive bankare kishin qenë të aksesueshme nga internet.

Statistikat tregojnë se përdorimi i shërbimeve të internet banking paraqitet gjithashtu në rritje të shpejtë. Vitin e kaluar, shqiptarët kryen 5.13 milionë veprime nëpërmjet internet banking, në rritje me 24.5% krahasuar me një vit më parë.

Rritja e shërbimit po vijon edhe këtë vit. Të dhënat e 9-mujorit tregojnë se klientët e sektorit bankar kanë kryer çdo muaj mesatarisht 505 mijë veprime nëpërmjet e-banking, shifër kjo 18% më e lartë krahasuar me mesataren mujore të vitit të kaluar.

Aktualisht, 11 nga 12 banka tregtare në vend ofrojnë shërbimet e internet banking, ndërsa edhe banka e fundit pritet ta ofrojë këtë shërbim së shpejti. /Monitor

Denonco te STOP

Keni një shqetësim që duhet ta dijë opinioni publik?

Na kontaktoni me telefon ose WhatsApp. Ekipi i STOP verifikon çdo sinjalizim dhe del në terren.

↑