Ish-presidenti Bamir Topi, mori sot pjesë në homazhet në nder të Servet Pëllumbit, nga ku vlerësoi kontributin e ish-kryetarit të Kuvendit, që ndërroi jetë dje.
Topi u shpreh se Pëllumbi ishte një nga zërat më të ekuilibruar brenda PS me të cilin kishte bashkëpunuar në politikë.
“Dua të shpreh ngushëllime për familjen. Jam njohur me profesor Pëllumbin gjatë aktivitetit tim politik. Të jeni të siguritë se vjen si një bindje e brendshme dhe kontakte, ka qenë një nga zërat më të ekuilibruar, jo vetëm të politikës në përgjithësi, por brenda PS-së. Një njeri reformator. Ka shumë për të folur për profesor Pëllumbin. Është një nga burrat më të mirë që unë kam pasur rastin të bashkëpunoj në politikë!”, tha Topi.
Servet Pëllumbi njihej si një nga deputetët më jetëgjatë të Kuvendit të Shqipërisë, me pjesëmarrje aktive në komisionet e ndryshme parlamentare. Në vitin 2002 ai u zgjodh kryetar i Parlamentit, post të cilin e mbajti deri në vitin 2005.



