Zv.kryeministrja Belinda Balluku deklaroi se në rast do të ketë ndërtime pa leje do të vijojnë shembjet dhe konfiskimet e ndërtesave.
Në një intervistë për Euronews Albania, ajo tha se IKMT-ja po vijon aksionin në çdo cep të vendit dhe po skanon të gjitha lejet e dhëna dhe sesi janë zbatuar ato në terren.
Sipas saj ky proces ka nisur për të krijuar një mënyrë të re për ndërtimet në vend.
“IKMT po skanon në çdo cep të Shqipërisë të gjitha lejet e ndërtimit, sa janë respektuar. D të vijojë ky proces dhe do të ketë edhe ndërtesa të tjera që do konfiskohen apo shemben”, u shpreh zv.kryeministrja.
Ajo shtoi se të gjithë ndërtuesit duhet të respektojnë ligjin.
“Ka një grup pune sa i përket ndërtimeve pa leje, ashtu siç edhe ju e dini janë konfiskuar mbi 15 ndërtesa. Është një proces i gjatë dhe rasti me rastin nuk ngjan, por të gjithë rastet janë të mirë-argumentuara dhe të vendosura në ligj dhe është një grup i tërë juristësh dhe IKMT-ja dhe KKT-ja që bëjnë detyrën e tyre në mënyrë profesionale, pa u ndikuar se kush është pronari i ndërtesës, rëndësi ka që të zbarohet ligji. Nuk është synimi që shteti të konfiskojë, apo të përfitojë metra katrorë. Edhe kur merren banesa do të shkojnë për qëllime sociale, do i dorëzohen entit të banesave”, u shpreh Balluku.