Avokati i Popullit: Deri të premten nuk ka pasur ankesa për ushtrim dhune ndaj protestuesve të ndaluar

Avokati i Popullit ka dalë me një reagim zyrtar këtë shtunë lidhur me protestuesit e ndaluar nga policia pas inicidenteve të regjistruara në protestën para Parlamentit. Avokati i Popullit thekson se që nga dita e parë ka monitorutar situatën dhe se verifikuar dokumentacionin përkatës të ndalimeve dhe shoqërimeve.

Ndër të tjera në reagim theksohet se janë administruar 10 ankesa zyrtare për tejkalim të forcës gjatë ndalimit apo shoqërimit nga ana e punonjësve të policisë. Sipas Avokatit të Popullit këto ankesa janë në proces verifikimi administrative.

Gjithashtu bëhet me dije se asnjë prej personave të ndaluar nuk ka paraqitur ankesë për ushtrim dhune gjatë qëndrimit në Bllokun e Sigurisë. Lidhur me pretendimet e një të shoqëruari se është dhunuar, Avokati i Popullit njofton ka angazhuar menjëherë dy ekipe të cilët po zhvillojnë verifikime.

“Avokati i Popullit ka vepruar pa ndërprerje që nga dita e parë e ndalimeve për monitorimin e të drejtave të protestuesve të ndaluar ose të arrestuar. Ditën e parë, institucioni ka administruar dhe verifikuar dokumentacionin përkatës të ndalimeve dhe shoqërimeve.

Ditën e enjte, Avokati i Popullit ka kontaktuar personalisht personat e arrestuar, ndërsa ekipet tona kanë qenë të pranishme në komisariatet 1, 2, 3 dhe 4 të Tiranës si dhe në Spitalin e Traumës, ku janë intervistuar personat e ndaluar dhe të lënduar dhe është administruar informacioni i nevojshëm.

Ditën e premte, Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës ka zhvilluar verifikime në Bllokun e Sigurisë në Tiranë, ku janë intervistuar protestuesit e ndaluar.

Deri më tani janë administruar 10 ankesa zyrtare për tejkalim të forcës gjatë ndalimit apo shoqërimit nga ana e punonjësve të policisë. Këto ankesa janë në proces verifikimi administrativ dhe, nëse vërtetohen, do të ndiqen me të gjitha mjetet ligjore që i njeh mandati ynë.

Nga intervistat e zhvilluara deri ditën e premte, asnjë prej personave të ndaluar nuk ka paraqitur ankesë për ushtrim dhune gjatë qëndrimit në Bllokun e Sigurisë.

Këtë të shtunë, pas një pretendimi për ushtrim dhune ndaj një qytetari brenda ambienteve të bllokut të sigurisë, Avokati i Popullit ka angazhuar menjëherë dy ekipe: një ekip do të intervistojë qytetarin në spital, ndërsa një ekip tjetër do të zhvillojë verifikime në Bllokun e Sigurisë. Avokati i Popullit do të bëjë publike gjetjet e plota me përfundimin e verifikimeve”, thuhet në njoftim.

Avokati Gentian Serjani këtë të shtunë përmes një postimi në “Facebook” ka bërë me dije se protestuesi Niko Qarkaj vuan nga epilepsia dhe se gjatë qëndrimit në komisariat ka pësuar disa kriza.

Sipas tij gjatë krizës së kaluar mbrëmjen e djeshme nuk ka marrë ndihmë mjekësore teksa shton se Qarkaj pretendon se është dhunuar nga policia. Ndër të tjera avokati kërkoi lirimin e protestuesit dhe të nisin hetimet lidhur me dhunimin e tij.

Të Fundit