Personi që shihni në foto është Edmond (Ali) Sula, 50-vjeçari që u ekzekutua në orët e para të mëngjesit të së dielës pranë banesës së tij në fshatin Bërxullë të Vorës. Sipas hetimeve paraprake, ai u qëllua me një plumb të vetëm në shpinë, teksa po hynte në shtëpi, duke humbur jetën në vend.
Dyshimet e grupit hetimor janë se autori ka përdorur një armë me precizion të lartë ndërsa në vendngjarje nuk është gjetur asnjë gëzhojë, element që përforcon dyshimet se atentati është planifikuar me kujdes.
Sipas hetimeve, 50-vjeçari ishte kthyer me automjetin e tij në banesë dhe, pasi e parkoi, u qëllua në momentin kur po i afrohej hyrjes së shtëpisë. Ai njihej në zonë si person me influencë dhe frekuentonte çdo ditë një ambient ku zhvillonte takime me persona të interesuar për shitblerje tokash dhe pronash.
Në fokus të hetimeve është aktiviteti i viktimës në fushën e shitblerjes së pronave, pasi policia po verifikon nëse ai kishte konflikte të lidhura me këtë veprimtari. Burime hetimore bëjnë me dije se kjo është pista kryesore ku po përqendrohet puna, megjithëse nuk përjashtohen as motive të tjera.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon grumbullimin e provave për të dokumentuar dinamikën e atentatit dhe për të identifikuar autorin ose autorët, të cilët deri më tani mbeten të paidentifikuar.



