TIRANË
Presidenti i Republikës Ilir Meta ka reaguar pas shifrave të larta të rasteve të reja dhe vdekjeve të raportuara sot nga Ministria e Shëndetësisë. Kreu i Shtetit thotë se pandemia po del jashtë kontrollit dhe se nuk ka asnjë plan për nisjen e vaksinimit masiv të popullsisë. Ai i bën thirrje qeverisë të mos bëjë sehir dhe as mos t’i trajtojë qytetarët, si numra për statistika ditore, duke i lënë në mëshirë të fatit, duke theksuar se nevojitet urgjentisht një strategji e re dhe efikase, për të frenuar pandeminë.
MESAZHI I PRESIDENTIT META
Pandemia COVID-19 në vendin tonë po del jashtë kontrollit. Në 24 orët e fundit, është regjistruar numri më i lartë i qytetarëve të infektuar, krahasuar me çdo ditë tjetër. Një tjetër shifër tronditëse është shënuar edhe sa i përket jetëve të humbura.
Kapacitetet spitalore për të pritur shtrimet e reja ditore, rezultojnë të tejmbushura. Ndërkohë veç propagandës, asnjë plan nuk ka për nisjen e vaksinimit masiv të popullsisë.
Duke shprehur shqetësimin më madh për këta tregues të dhembshëm, i bëj thirrje Qeverisë të mos bëjë sehir dhe as mos t’i trajtojë qytetarët, si numra për statistika ditore, duke i lënë në mëshirë të fatit.
Çdo shqiptar meriton të trajtohet me dinjitet dhe të ketë të gjithë asistencën e domosdoshme këshillimore dhe shëndetësore nga ana e shtetit, për të përballuar pasojat e rrezikshme të pandemisë.
Është e patolerueshme të numërohen çdo ditë të infektuarit dhe jetët e humbura dhe të mos merret asnjë masë për të frenuar COVID-19.
Nevojitet urgjentisht, një strategji e re dhe efikase, për të frenuar pandeminë, përmirësuar kushtet në spitale, mbështetur financiarisht të prekurit dhe familjet e tyre dhe rritur nivelin ndërgjegjësues të popullatës.
Çdo vonesë është kosto e madhe për qytetarët, shëndetin dhe jetën e tyre dhe kjo është jo vetëm e pafalshme, por edhe e dënueshme.
Gjithashtu, ju bëj apel qytetarëve të mos e ulin vigjilencën dhe të vijojnë të zbatojnë me rigorozitet rregullat antiCOVID.