Policia e Fierit ka arrestuar 29-vjeçaren Melisa Beluli, e cila rezulonte në kërkim si bashkëpunëtore e plagosjes me armë të bashkëshortit të saj, me të cilin ndodhej në proces divorci.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 5 janar 2025, në lagjen “Apollonia” të qytetit të Fierit. Sipas hetimeve, ishte 26-vjeçari Klement Beqaj, partneri i ri i Belulit, i cili qëlloi me armë zjarri në drejtim të 40-vjeçarit G. H., duke e plagosur rëndë. Në momentin e sulmit, 40-vjeçari ndodhej bashkë me të birin 10-vjeçar.
Melisa Beluli akuzohet për bashkëpunim në këtë ngjarje, ndërsa mbi të rëndojnë veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Ajo është ndaluar pas vendimit të Gjykatës së Fierit, e cila ka caktuar ndaj saj masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Sipas burimeve nga policia, konflikti mes Melisa Belulit dhe bashkëshortit të saj kishte kohë që ishte intensifikuar për shkak të çështjes së divorcit dhe lidhjes së re që ajo kishte krijuar me Klement Beqajn. Dyshohet se përshkallëzimi i konfliktit ka çuar në përfshirjen e të dashurit të saj në ngjarje.
Ndërkohë, autori i dyshuar i plagosjes, Klement Beqaj, është ende në kërkim nga policia. Strukturat e specializuara po vijojnë operacionin për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Materialet procedurale për ngjarjen i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për veprime të mëtejshme ligjore.