Arrestohet administratori i plazhit ku humbën jetën babai dhe dy djemtë e tij të mitur

Ngjarja tragjike e së dielës ku në plazhin e Vilë-Bashtovës në Rrogozhinë u mbytën babai Elvis Halilaj dhe dy djemtë e tij të mitur, 13 dhe 15 vjeç, ka çuar në arrestimin e një personi.

Ai është një 34 vjeçar nga Tirana, administratori i operatorit turistik që kishte marrë me qira nga Bashkia e Rrogozhinës atë pjesë plazhi në Vilë-Bashtovë ku ndodhi kjo ngjarje e rëndë.

Sipas policisë, i riu nuk ka plotësuar kushtet e sigurisë sipas kontratës të lidhur mes operatorit ekonomik dhe Agjencisë Kombëtare të Bregdetit (kontratë e miratuar nga Ministria e Turizmit).

“Policia e Shtetit apelon për të gjithë operatorët që kanë përfituar kontrata shërbimi përgjatë vijës bregdetare, që të ushtrojnë aktivitetin në përmbushje të detyrimeve për sigurinë e jetës së pushuesve dhe të marrin masa të menjëhershme për të përmirësuar edhe më shumë kushtet e sigurisë, pasi Policia e Shtetit nuk do të tolerojë në asnjë rast, shkelje të tilla që cenojnë sigurinë dhe jetën e pushuesve në plazhe”, thuhet në njoftimin e policisë.

Tre të mbyturit në Vilë-Bashtovë u nxorrën nga deti me kajak nga një person që punonte në plazh. Dëshmitarët nga vendi i ngjarjes treguan se panë një burrë që kishte ngritur duart dhe kërkonte ndihmë, por asnjë nga pushuesit nuk u fut në det sepse kishin frikë nga dallgët e mëdha dhe aty mungonin vëzhguesit.

Të Fundit