Akuzat për ndërhyrje në dëshmi, Gjykata Speciale shpall sot aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë pritet të shpallin sot në orën 10:00, aktgjykimin e shkallës së parë në procesin gjyqësor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit. Gjykatësi i vetëm i çështjes, Christopher Gosnell, ka urdhëruar paraqitjen e të pesë të akuzuarve në seancën e shpalljes së vendimit. Çështja lidhet me pretendimet për pengim të administrimit të drejtësisë.

Në qendër të procesit janë vizitat e zhvilluara në Qendrën e Paraburgimit në Hagë gjatë vitit 2023. Sipas Prokurorisë, vizitat që nuk mbroheshin nga privilegji avokat-klient janë përdorur nga Thaçi për t’u përcjellë Smakajt, Kilajt dhe Fazliut informacione konfidenciale lidhur me dëshmitarët e Prokurorisë, si dhe udhëzime se si të ndikonin në dëshmitë e tyre në procesin kryesor.

Gjykimi u zhvillua përgjatë 11 ditëve seancash, me një numër relativisht të vogël dëshmitarësh: tre të thirrur nga Prokuroria dhe një nga mbrojtja e Thaçit. Prokuroria ka kërkuar dënimin e të pesë të akuzuarve, konkretisht gjashtë vite burg për Hashim Thaçin, nga tre vite për Bashkim Smakajn, Isni Kilajn dhe Fadil Fazliun, si dhe nëntë muaj burg për Hajredin Kuçin.

Nga ana tjetër, avokatët mbrojtës kanë kundërshtuar akuzat dhe kanë kërkuar lirimin e të pandehurve. Sipas mbrojtjes, pretendimet e Prokurorisë nuk kanë pasur asnjë ndikim në procesin kryesor gjyqësor, pasi të akuzuarit përballen me pretendime për tentativë ndërhyrjeje dhe jo për kryerjen e veprave penale që lidhen me ndikimin te dëshmitarët. Të pesë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm gjatë gjithë procesit.

Gjyqtari i vetëm i çështjes, Christopher Gosnell, do të vendosë nëse Prokuroria ka arritur të provojë fajësinë e të pandehurve përtej dyshimit të arsyeshëm. Në rast se ata shpallen fajtorë, do të shqiptohen edhe dënimet përkatëse.

Pikat kyçe të aktakuzës dhe akuzat ndaj pesë të pandehurve:

Hashim Thaçi: Përballet me 11 pika të aktakuzës: tri për tentativë për pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave, katër për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër për mosbindje ndaj Gjykatës. Prokuroria pretendon se ai ka koordinuar tri grupe të ndara për të ndikuar te dëshmitarët.
Bashkim Smakaj, Isni Kilaj dhe Fadil Fazliu: Secili prej tyre ngarkohet me akuza për tentativë për pengimin e personave zyrtarë dhe për mosbindje ndaj Gjykatës.
Hajredin Kuçi: Akuzohet për dy pika të veprës penale të mosbindjes ndaj Gjykatës. Në to përfshihet marrëveshja e pretenduar me Thaçin për të kontaktuar dëshmitarët jashtë rregullave gjyqësore, si dhe një kontakt i veçantë me një dëshmitar.
Ky proces është tërësisht i ndarë nga gjykimi kryesor për krime lufte ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, aktgjykimi i të cilit u shpall më 16 shtator. Seanca e sotme fokusohet ekskluzivisht te pretendimet për ndërhyrje te dëshmitarët dhe cenim të funksionimit të drejtësisë gjatë procedurave në Hagë.

Shpallja e aktgjykimit vjen në një datë që lidhet edhe me historinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Më 17 nëntor 1994, në një takim të zhvilluar në Zvicër, ushtria që doli kundër forcave serbe mori emrin UÇK. Pikërisht 32 vite më vonë, një prej drejtuesve të saj, Hashim Thaçi, përballet me një tjetër vendim të Dhomave të Specializuara në Hagë.

Ndërkohë, organizata e veteranëve të luftës ka shprehur të hënën mungesën e besimit te drejtësia e Dhomave të Specializuara në Hagë, duke e lidhur qëndrimin e saj me mënyrën se si, sipas saj, është drejtuar dhe po vijon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Kronologjia e procesit gjyqësor:

27 shkurt 2026: Nis zyrtarisht gjykimi.
13 mars 2026: Përfundon paraqitja e provave nga ana e Prokurorisë.
Faza e mbrojtjes: Vetëm ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit dhe Isni Kilajt paraqitën prova.

Të Fundit