EMRI/ Hakeroi gjigantët teknologjikë dhe publikoi pamjet e GTA VI para kohe, caktohet data e dënimit për 21-vjeçarin shqiptar

Një 21-vjeçar shqiptar, pjesë e grupit famëkeq të krimit kibernetik Lapsus$, i cili ishte përgjegjës për sulme ndaj disa prej kompanive më të mëdha ndërkombëtare dhe publikimin e 90 videove të lojës shumë të pritur Grand Theft Auto VI (GTA VI), është deklaruar fajtor këtë të hënë në Britaninë e Madhe.

Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë britanike (CPS), Arion Kurtaj ka pranuar përgjegjësinë për një seri sulmesh kibernetike të profilit të lartë ndaj kompanive Rockstar Games, BT/EE, Revolut dhe Uber.

Ai pritet të dënohet më 23 nëntor 2026, në Gjykatën e Kurorës në Woolwich.

Në lidhje me rastin, prokurori i specializuar i Shërbimit të Prokurorisë së Kurorës, Robert Hutchinson, deklaroi:

“Arion Kurtaj përdori teknika të sofistikuara hakimi për të kryer një fushatë të vazhdueshme sulmesh kibernetike, duke shkaktuar ndërprerje serioze në bizneset e mëdha ndërkombëtare dhe duke vënë në rrezik informacionin e ndjeshëm.

I pandehuri ishte i përfshirë në një grup hakerash përgjegjës për sulme që shkaktuan miliona dollarë humbje. Vepra e tij penale ishte e llogaritur dhe, edhe pasi u akuzua për vepra të rënda penale, ai vazhdoi të shënjestronte organizatat, duke demonstruar një shpërfillje të vazhdueshme për dëmin që po shkaktonte dhe ligjin.

Ky ishte një rast jashtëzakonisht kompleks dhe sfidues, por pavarësisht përpjekjeve të tij për të fshehur identitetin e tij në internet, prokurorët tanë specialistë ishin në gjendje të punonin ngushtë me Policinë e Qytetit të Londrës dhe partnerët ndërkombëtarë të zbatimit të ligjit për të ndërtuar një rast të fortë që ekspozoi veprimet e tij dhe rezultoi në pranimin e fajësisë nga ana e tij.

Krimi kibernetik mund të ketë pasoja shkatërruese për individët dhe bizneset, duke vënë në rrezik paratë e fituara me mund të njerëzve dhe duke shkaktuar dëm ekonomik. Ne do të vazhdojmë të ndjekim dhe ndiqen penalisht me forcë ata që janë përgjegjës për këto vepra penale sa herë që është e mundur”, tha Robert Hutchinson, Prokuror i Specializuar për Shërbimin e Prokurorisë së Kurorës.

Si arriti të hakonte gjigantët teknologjikë?

Sipas hetimeve të Policisë së Qytetit të Londrës dhe Prokurorisë britanike, Kurtaj u ndoq penalisht nga Njësia e Çështjeve Komplekse të CPS London, me mbështetjen edhe të partnerëve të zbatimit të ligjit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sulmet e tij shkaktuan vjedhjen dhe publikimin e të dhënave me ndjeshmëri të lartë dhe vlerë të konsiderueshme tregtare, ndërprerjen e sistemeve të brendshme, fshirjen e llogarive dhe të dhënave, si dhe komprometimin e informacioneve të klientëve dhe punonjësve.

Pavarësisht përdorimit të disa pseudonimeve për të fshehur identitetin e tij në internet, hetuesit arritën të identifikonin autorin përmes analizimit të pajisjeve elektronike dhe gjurmëve dixhitale, duke ndërtuar një kronologji të qartë të aktiviteteve të tij kriminale.

Mes gushtit dhe nëntorit 2021, Kurtaj depërtoi në serverët dhe skedarët e të dhënave të kompanisë BT/EE.

Në fillim të nëntorit të po atij viti, kompania konstatoi një rritje të ndjeshme të rasteve të ndërrimit të paautorizuar të kartave SIM të klientëve. Sipas hetimeve, kjo ishte pasojë e aksesit të paligjshëm në ndërfaqet e programimit të kompanisë, i cili kishte nisur që nga sulmi fillestar i Kurtajt në gusht.

Përmes kësaj metode, kriminelët mund të marrin kontrollin e numrave të telefonit të viktimave, duke pasur mundësi të përgjojnë telefonatat dhe mesazhet, si dhe të aksesojnë llogaritë bankare apo ato në rrjetet sociale.

Hakimi i Rockstar Games dhe publikimi i 90 videove të GTA VI

Një prej sulmeve më të bujshme ishte ai ndaj kompanisë Rockstar Games, zhvillueses së videolojës Grand Theft Auto VI.

Në shtator të vitit 2022, Kurtaj arriti të depërtonte në sistemet e brendshme të kompanisë, ndërsa në atë kohë ndodhej nën masa mbrojtëse policore dhe ishte i akuzuar për vepra të tjera penale.

Sipas BBC-së, megjithëse kompjuteri i tij ishte sekuestruar, ai arriti të realizonte sulmin nga një dhomë hoteli në Bicester, duke përdorur një pajisje Amazon Fire Stick të lidhur me televizorin e dhomës, si dhe një tastierë dhe maus Bluetooth.

Përmes këtij aksesi, ai vodhi 90 video nga versioni ende i papërfunduar i GTA VI, me afro 60 minuta pamje nga loja, të cilat më pas i publikoi në internet nën pseudonimin TeaPotUberHacker.

Kurtaj kërcënoi gjithashtu se do të publikonte kodin burimor të lojës nëse kompania nuk kontaktonte me të brenda 24 orëve.

Rockstar Games refuzoi të bashkëpunonte me të, ndërsa materialet e vjedhura përfunduan në internet, duke shkaktuar një prej rrjedhjeve më të mëdha të informacionit në historinë e industrisë së videolojërave.

Sipas raportimit të BBC-së, kompania deklaroi se rikuperimi nga sulmi i kushtoi rreth 5 milionë dollarë, përveç mijëra orëve të punës së punonjësve të angazhuar për menaxhimin e pasojave.

Sulmet ndaj Revolut dhe Uber, mijëra klientë të prekur

Kurtaj depërtoi gjithashtu në sistemet e kompanisë së teknologjisë financiare Revolut, duke komprometuar të dhënat e mijëra klientëve.

Në një tjetër sulm ndaj gjigantit të transportit Uber, ai arriti të nxirrte informacione të ndjeshme, të fshinte të dhëna dhe llogari nga sistemet e brendshme të kompanisë, si dhe t’u dërgonte punonjësve një imazh të turpshëm.

Sipas Prokurorisë britanike, vetëm ky sulm i shkaktoi Uber-it kosto që tejkaluan 2.8 milionë dollarë.

Ndërkohë, raportimet e mediave ndërkombëtare bëjnë të ditur se dëmi i përgjithshëm i shkaktuar nga sulmet ndaj kompanive të ndryshme arrin në miliona dollarë, ndërsa grupi Lapsus$ dyshohet se ka përdorur edhe të dhënat e vjedhura për të shënjestruar investitorë në kriptomonedha.

Nga spitali i sigurisë së lartë në përballjen me drejtësinë

Rasti i Arion Kurtajt ka pasur një ecuri të pazakontë gjyqësore.

Në vitin 2023, një juri në Gjykatën e Kurorës në Southwark konstatoi se ai kishte kryer një sërë veprash penale, përfshirë hakime, shantazh dhe mashtrim. Megjithatë, për shkak se mjekët e kishin vlerësuar të paaftë për t’u përballur me një gjykim të zakonshëm penal, juria duhej të përcaktonte nëse ai kishte kryer veprat e pretenduara dhe jo nëse ishte fajtor në kuptimin e zakonshëm juridik.

Në dhjetor 2023, gjykata vendosi që ai të qëndronte në një spital të sigurisë së lartë për një kohë të pacaktuar, përveç rastit kur mjekët do të konstatonin se nuk përbënte më rrezik.

Megjithatë, pas një rivlerësimi të mëvonshëm, Kurtaj u konsiderua i aftë për t’u përballur me një proces të zakonshëm gjyqësor dhe u transferua në një burg të zakonshëm në janar 2026.

Tashmë, në moshën 21-vjeçare, ai është deklaruar fajtor për sulmet kibernetike dhe veprat e tjera penale të pranuara përpara gjykatës.

Prokuroria britanike bëri gjithashtu të ditur se Kurtaj është deklaruar fajtor për një tjetër vepër penale të kryer në mars 2026, kur u kap me një telefon celular në burg, përmes të cilit kishte dërguar një mesazh tallës në numrin e emergjencës 999.

Ai pritet të dalë sërish përpara gjykatës më 23 nëntor 2026, kur do të shpallet vendimi për dënimin e tij.

Të Fundit