AKU: Do pranohet mishi i shpendëve dhe gjedhit nga Brazili me certifikata të lëshuara para 3 shtatorit

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit njofton se ngarkesat e mishit të shpendëve dhe gjedhit me origjinë nga Brazili, për të cilat certifikata shëndetësore veterinare është nënshkruar dhe/ose lëshuar para datës 3 shtator 2026, do të vijojnë të pranohen në Pikat e Kontrollit Kufitar, edhe nëse mbërrijnë në Shqipëri pas kësaj date.

Sqarimi vjen pas ndryshimeve në rregullat e Bashkimit Evropian, me të cilat Brazili është hequr nga lista e vendeve të autorizuara për hyrjen në BE të kategorive të caktuara të kafshëve dhe produkteve me origjinë shtazore për konsum njerëzor.

Sipas AKU-së, Komisioni Evropian ka sqaruar se ngarkesat për të cilat certifikata përkatëse është lëshuar përpara 3 shtatorit do të vijojnë të pranohen, pasi kërkesat e reja nuk zbatohen për eksportet e kryera përpara kësaj date.

AKU thekson se do të vijojë monitorimin dhe zbatimin e legjislacionit në fuqi, me synim garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit publik.

Të Fundit