Aksident tragjik në autostradën Durrës-Tiranë, humb jetën 45-vjeçari

Një aksident i rëndë rrugor është shënuar në orët e para të mëngjesit në autostradën Durrës-Tiranë, ku janë përfshirë pesë automjete. Si pasojë e përplasjes, një 45-vjeçar ka humbur jetën.

Sipas informacionit paraprak të Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:20. Shtetasi H. B., 45 vjeç, dyshohet se është përplasur me një kamion dhe, si pasojë e aksidentit, ka ndërruar jetë në vendngjarje.

Pas përplasjes së parë, në aksident janë përfshirë edhe tre automjete të tjera. Në këto mjete udhëtonin shtetasit G. L., 59 vjeç dhe J. I., 34 vjeç, si dhe pesë pasagjerë.

Fatmirësisht, drejtuesit e mjeteve dhe pasagjerët e përfshirë në përplasjen e shumëfishtë ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, shtetasja A. V., e cila dyshohet se ka qenë drejtuese e njërit prej automjeteve të përfshira në aksident, është larguar nga vendngjarja. Ajo është shoqëruar nga Policia për të dhënë shpjegime dhe për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët po vijojnë veprimet për dokumentimin e plotë të aksidentit.

Hetimet vijojnë për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e aksidentit të rëndë.

Të Fundit