“Ai është babai im, por nuk mund ta justifikoj”, flet vajza e shqiptarit që vrau ish-partneren në Greqi

Dëshmi të reja hedhin dritë mbi ditët e fundit para vrasjes së një 45-vjeçareje në Nea Smyrni të Greqisë, duke zbardhur lëvizjet dhe sjelljen e autorit të dyshuar, ish-partnerit të saj, 48-vjeçarit shqiptar A.A.

Sipas dëshmive të publikuara nga mediat greke, 48-vjeçari dyshohet se e kishte ndjekur sistematikisht 45-vjeçaren J.A dhe se kërcënimet ndaj saj ishin shtuar pas përfundimit të marrëdhënies mes tyre.

Sipas të njëjtave dëshmi, 45-vjeçarja kishte vendosur t’i jepte fund lidhjes pasi mësoi se 48-vjeçari ishte i martuar dhe kishte një vajzë 19-vjeçare.

Pak ditë para krimit, autori i dyshuar kishte tentuar të takohej me vëllain e viktimës, duke i kërkuar të diskutonin për marrëdhënien me motrën e tij. Gjatë bisedës, ai i kishte thënë: “Nuk do të vrasim njëri-tjetrin, do të pimë një kafe”.

Dëshmitë sugjerojnë gjithashtu se 48-vjeçari mund ta kishte planifikuar krimin. Sipas një miku të tij, pak para se të nisej drejt banesës së viktimës, ai takoi vajzën e tij dhe i tha se e donte shumë, por edhe se mund të mos e shihte më.

Më pas, ai u kthye në shtëpi, zgjoi bashkëshorten dhe i la para, duke i kërkuar që të kujdesej për vajzën e tyre.

Ndërkohë, vajza e 48-vjeçarit, e cila ka folur për MEGA, tha se është e tronditur nga ajo që ka ndodhur dhe se, megjithëse ka humbur babain, nuk mund ta justifikojë veprimin e tij.

“Jam e tronditur nga e gjithë kjo që ka ndodhur. Nuk mund ta besoj që babai im e bëri këtë. Ai është babai im dhe do të më mungojë, kam humbur babain tim, por nga ana tjetër nuk mund të anashkaloj faktin që ka bërë një të keqe, që u bë vrasës. I mori jetën një njeriu dhe i mori nënën një vajze të moshës sime”, u shpreh ajo.

Vajza tha se ndodhet në një gjendje të rënduar psikologjike dhe se nuk mban përgjegjësi për atë që ka ndodhur.

Sipas informacioneve të publikuara nga mediat greke, pak më vonë 48-vjeçari shkoi pranë pallatit ku jetonte 45-vjeçarja dhe priti daljen e saj. Kur ajo u shfaq, ai dyshohet se e befasoi dhe e detyroi të gjunjëzohej përpara se ta qëllonte./Protothema

Të Fundit