Një ditë më parë emisioni “Stop” transmetoi rastin e mjekut ligjor Albert Kreçi, i cili klasifikoi si “plagosje të lehtë” pasojën e aksidentit të 13-vjeçarit, Adi Bramko.
Sot kryetari i ekspertëve Mjeko Ligjorë, Bledar Xhemali dhe juristi i këtij institucioni, Amarildo Mekollari deklaruan shkarkimin e Albert Kreçit dhe dërgimin e materialeve Ministrisë së Drejtësisë.
Veç kësaj, sipas zotit Xhemali, Albert Kreçi ka kryer vepër penale, ndaj për këtë çështje duhet të nisë hetimet prokuroria.
“I jam drejtuar emisionit tuaj, për të denoncuar një rast flagrant, ku eksperti mjeko-ligjor Albert Kreçi ka bërë një ekspertim që tregon se plagosja e djalit tim është ‘e lehtë’. Kërkova pranë prokurorisë riekspertimin e çështjes së plagosjes së djalit tim dhe më thanë që më kanë rënë qafë se djali është me plagosje të rëndë”, u shpreh i ati i të aksidentuarit.
“Kjo është biçikleta, me të cilën udhëtoja ditën e aksidentit. Mund të shihen qartë dëmet që i kanë ndodhur, që është biçikletë hekuri e jo më unë që isha njeri me kocka e mish dhe normal që do kisha më shumë dëme”.
Mjekët e Urgjencës së Durrësit thanë se 13-vjeçari kur u paraqit kishte hemoragji në kokë, ndaj dhe kjo plagosje nuk mund të konsiderohet “e lehtë”, por që mund të kishte risqe serioze.
Gjithashtu njëri prej tyre u shpreh për ekspertin mjeko ligjor, Albert Kreçi: “Qenka mjek më i zoti se ne ky, me këtë nuk konkurojmë dot ne!”
Spartak Bamko, i ati i Adit, kërkoi ballafaqim me Kreçin, por nëpërmjet telefonatës me të u përball me një lumë sharjesh e fyerjesh.
Denoncuesi – Ti ke bërë ekspertimin për herë të parë, por kartela e djalit me ekspertimin që ti ke bërë nuk korespondojnë fare. Ti e ke nxjerrë me dy gërvishtje të lehta në kokë djalin, kur ka patur dy fraktura në kokë dhe dy në këmbë. Ka shumë mangësira! Ke fshehur 4 fraktura të djalit! Unë prandaj doja të të takoja.
Mjeku ligjor Albert Kreçi – Sqarimet unë i jap në Prokurori, jo tek ti.
Denoncuesi – Në rregull, ti jepi në prokurori. Unë po të kërkoj llogari si prind sepse ti më ke hapur shumë punë!
Mjeku ligjor Albert Kreçi – Po si prind s’ke pse m’i kërkon në telefon ti. Duhet të m’i kërkosh kur të jesh…kur të jesh ti, kur të jesh në punë aty! Mua të më vish të më takosh!
Denoncuesi – Kam ardhur, të kam kërkuar …
Mjeku ligjor Albert Kreçi – Ore, rrotë k….! Mbylle telefonin o b…q…! Ore, b…q…! Të thashë edhe një herë, mos…mos më provoko mua k… se të q…atë motrën!
Denoncuesi – Nuk po të provokoj, po të them …
Gazetarja e emisionit “Stop” iu drejtua Institutit të Mjekësisë Ligjore ditën e enjte, pasi eksperti mjeko-ligjor, Albert Kreçi ka shkelur 2 nene, nenin numër 33 dhe 34 të këtij institucioni, duke i dhënë kompetencat vetes si një ekspert mjeko ligjor i brendshëm, ndërkohë që që është i jashtëm.
Juristi i IML, Amarildo Mekollari u shpreh se institucioni ka marrë të gjitha masat në lidhje me këtë rast, duke e ndjekur procedurialisht dhe duke njoftuar Ministrinë e Drejtësisë. Ndërsa kryetari i i ekspertëve mjeko ligjorë, Bledar Xhemali deklaroi pushimin nga puna të Albert Kreçit dhe i konsideroi këto shkelje çështje penale.
“Do merret masa… shumë pak masa, që do të marrim ne si institucion! Për mua ajo është çështje penale. A e kupton?! Është akt i rëndë! Pra, që sot është i hequr nga puna, pastaj më tej duhet… për mua është prokuroria që duhet të futet në veprim, edhe që nga fjalori i përdorur, edhe nga të gjitha gjërat! Tani e kemi shkresën gati që e kemi hequr nga puna. Do informojmë Ministren (e Drejtësisë) në lidhje me procedurat!”