Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka sfiduar publikisht kreun e grupit parlamentar socialist Taulant Balla që të bëjë transparente pasurinë e tij dhe të shpjegojë burimin e parave me të cilat ka siguruar shtëpinë ku jeton.
Përmes një videoje të publikuar nga tarraca e shtëpisë së tij në Tiranë, Shehaj deklaroi se shtëpia e tij vlen rreth 2 milionë euro, ndërsa theksoi se mund të justifikojë çdo qindarkë të përdorur për blerjen e saj.
Duke treguar një pallat pranë banesës së tij, Shehaj denoncoi se Taulant Balla ka deklaruar një apartament prej 100 metrash katrorë, por në të vërtetë jeton në një pronë prej të paktën 500 metrash katrorë, me vlerë miliona euro.
“Diferenca midis meje dhe Taulant Ballës është që unë mund të justifikoj çdo qindarkë të parave që kam përdorur për të blerë këtë pronë, kurse Taulant Balla nuk e bën dot, sepse i mban fshehur. E sfidoj të bëjë të njëjtën gjë që po bëj unë. Të bëjë një video dhe t’u shpjegojë shqiptarëve ku jeton dhe ku i ka gjetur paratë”, deklaroi Shehaj.
Kreu i Partisë Mundësia iu përgjigj gjithashtu deklaratave që, sipas tij, Balla ka bërë prej muajsh lidhur me një arrestim të mundshëm të tij.
“Ka muaj Taulant Balla që thotë lart e poshtë: ‘Do e arrestojnë Agron Shehajn sot, do ta arrestojnë nesër’. Ndërkohë, të vetmit njerëz që arrestohen janë miqtë dhe shokët e Taulant Ballës. Nuk të beson njeri, Taulant! Unë nuk kam gjë për të fshehur. Të gjithë i njohin pronat e mia dhe e dinë shumë mirë si jam pasuruar”, u shpreh ai.
Shehaj akuzoi Ballën se po fsheh pasurinë e tij dhe kërkoi që deputeti socialist të japë publikisht shpjegime për diferencën që ai pretendon se ekziston mes sipërfaqes së deklaruar dhe banesës ku jeton.
“Ke deklaruar një apartament prej 100 metrash katrorë dhe jeton në një apartament prej 500 metrash katrorë, në një nga zonat më të shtrenjta të Tiranës. E di e gjithë Tirana dhe Shqipëria që ti po fsheh pasurinë”, deklaroi Shehaj.
Në përfundim, kryetari i Partisë Mundësia iu drejtua:
“Nuk të ka ardhur radha se nuk je i rëndësishëm, Taulant, por shumë shpejt do të vijë edhe te ti.”



