Në kushte të vështira atmosferike dhe shpeshherë pa masat e nevojshme të sigurisë teknike, elektricistët janë ndër punonjësit që rrezikojnë çdo ditë jetën gjatë ushtrimit të detyrës. Vetëm gjatë këtij viti, në Shqipëri, disa elektricistë kanë humbur jetën në vendin e punës.
Një prej tyre është Bashkim Boçi, 54 vjeç, i cili humbi jetën më 22 korrik 2026, rreth orës 03:00 të mëngjesit, në kushte të vështira atmosferike, teksa ishte në shërbim në zonën e Himarës.
Vëllai i tij, Rexhep Boçi, rrëfen momentet e fundit të jetës së Bashkimit, i cili ishte dërguar në Himarë nga OSHEE për të kryer detyrën gjatë një nate me reshje të dendura shiu dhe stuhi.
“22 korrik 2026, vëllai ishte në shërbim në zonën e Himarës, e kishte dërguar OSHEE. Atje ka humbur jetën në moshën 54-vjeçare, në krye të detyrës. Ka qenë rreth orës 03:00 të natës, mot shumë i keq, me reshje të dendura, bubullima. Nuk i di kushtet e punës që ka patur. Fillimisht e ka patur vështirë, por u ambientua dhe ia kishte marrë dorën. Vazhdoi këtë punë për shumë vite, ky ishte vite i fundit”, tha vëllai i tij, Rexhep Boçi.
Për familjen, humbja ishte një goditje e rëndë, veçanërisht pasi Bashkimi mezi priste të bëhej gjysh. Në momentin e tragjedisë, vajza e tij ishte në muajin e tetë të shtatzënisë, ndërsa familjarët u përballën edhe me frikën se mund të humbnin foshnjën.
“Ky ka qenë një tjetër moment i vështirë. Kam qenë i detyruar me i përballuar të gjitha këto. Vajza ishte në muajin e tetë të shtatzënisë dhe ka pasur një risk të madh të humbiste fëmijën. Deshi Zoti i madh që ajo shpëtoi dhe sot kemi në jetë nipin e vogël. Takimi i fundit me vëllain ka qenë data 12 korrik”, vijoi Rexhep Boçi.
Elektricisti nga Elbasani ishte dërguar me shërbim në Himarë gjatë sezonit veror, periudhë kur kërkohet gatishmëri e shtuar e punonjësve të sektorit të energjisë elektrike në zonat turistike.
Përgjatë 26 viteve, Bashkim Boçi punoi me përkushtim në profesionin e tij, duke kryer detyrën edhe në kushte të vështira. Sot, ai kujtohet nga familjarët, ndërsa bashkëshortja e tij përballet me vështirësi ekonomike, pasi nuk ka asnjë të ardhur dhe, sipas familjes, nuk ka marrë asnjë mbështetje pas humbjes së bashkëshortit.



