Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi këtë martë ka inspektuar ecurinë e punimeve në kantierin e aksit rrugor Kombinat-Ndroq-Plepa.
Karakaçi thekson se kanë përfunduar punimet për Lotin 1. Ai shtoi do të nisë shumë shpejt puna për 9 kilometrat e tjerë pasues të kësaj rruge. Sipas tij, ky aks jo vetëm do të lehtësojë lëvizjen e automjeteve, por do të nxisë edhe zhvillimin ekonomik të të gjithë zonës.
“Po marrim të gjitha hapat e nevojshëm për të përmbyllur rrugën Kombinat- Plepa. Tashmë 5 kilometrëshi i parë që do të çojë deri në Pezë është i përfunduar dhe tashmë e ka marrë në dorëzim Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Lajmi i mirë është që ditën e djeshme autoriteti rrugor shqiptar ka finalizuar kontratën për vijimin e 9 kilometrave të pasues, ndërsa po ashtu, që është element i rëndësishëm për shkak të rëndësisë që ka ky segment rrugor, është edhe 10 kilometërshi që do të çojë deri në Durrës në Plepa, tashmë është i financuar.
Autoriteti rrugor shqiptar po përmbyll gjithë dokumentacionin e nevojshëm që brenda mesit të muajit nëntor të hapi procedurën e konkurrimit. Pra, kemi një segment tashmë Kombinat – Plepa, i cili është i financuar. 9 kilometra vijues tashmë janë lidhur ditën e djeshme nga autoriteti rrugor shqiptar kontratat dhe 10 kilometra pasues që do të çojnë deri në Durrës janë të financuar dhe brenda mesit të muajit nëntor hapim procedurën konkurruese”, tha ai.



