Shpallen 1500 fituesit e kredive të buta për vitin 2026, Veliaj nga qelia: Këtë javë bëjmë realitet ëndrrën e tyre

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka njoftuar se 1500 familje janë shpallur fituese nga programi i kredisë së butë për blerjen e një banese të re.

Përmes një mesazhi nga qelia, Veliaj bëri të ditur se i ka propozuar Këshillit Bashkiak të Tiranës që, në mbledhjen e 29 tetorit, të miratojë listën e plotë të familjeve përfituese.

Ai u shpreh se, pavarësisht vështirësive që pretendon se po has në ushtrimin e detyrës, i vjen mirë që po bëhet realitet ëndrra e këtyre familjeve për të pasur një shtëpi të tyren.

“Pavarësisht përndjekjes, izolimit dhe refuzimit të çdo takimi pune me stafin e bashkisë, çka ma vështirëson së tepërmi detyrën për t’i shërbyer si duhet qytetarëve që më kanë votuar, më vjen mirë që këtë javë bëjmë realitet ëndrrën e 1500 familjeve, të cilat janë shpallur fituese nga programi i kredisë së butë!

I kam propozuar Këshillit Bashkiak të Tiranës që, në mbledhjen e 29 tetorit, ta miratojë të plotë listën, që këto familje të përballojnë blerjen e një shtëpie të re.

E marr me mend gëzimin e tyre, ndaj edhe i uroj nga zemra.”, shkruan Veliaj.

Të Fundit