Ulet TVSH për produktet e shportës, ekspertët: Nismë pozitive, por duhet kontroll që të reflektohet te çmimet

Ulja e TVSH-së për produktet e shportës është një nga masat që përfshihet në paketën fiskale për vitin 2027.

Sipas propozimit të Ministrisë së Financave, TVSH për 54 produkte të shportës do të zbresë nga 20% në 6%.

Ndryshimet synojnë të ulin çmimet për produktet bazë të ushqimeve, por sipas ekspertëve, nëse vendimi nuk shoqërohet edhe me mekanizmin e kontrollit, efektet do të jenë të pandjeshme për konsumatorët.

“Kjo gjë nënkupton ulje me 14% të çmimit, por duhet të kemi kujdes dhe të kuptojmë që nëse kemi privat që kanë fituar më shumë dhe instrumentet shtetërore nuk ia kanë dalë që të pengojnë këtë rritje, nuk kemi asnjë garanci që privati do ulë çmimet edhe përmes kësaj nisme për reduktimin e TVSH. Nuk mjafton që të merret masa, por duhen marrë instrumentet e duhur të kontrollit që këto para t’i shkojnë publikut, njerëzve, konsumatorëve që të kenë mundësi të blejnë me çmim më të lire”, thotë eskperti i ekonomisë, Mateo Spaho.

Ekspertët theksojnë se tregu shqiptar është karakterizuar gjithmonë nga elementë abuzivë dhe se importuesit e ushqimeve ia kanë dalë të rrisin marzhet e fitimit.

“Në Shqipëri kemi pasur një presion shtesë nga ana e importuesve për të fituar më shumë dhe kjo ka bërë që çmimet të rriteshin në një përqindje më të lartë. Do të ishte e duhur për tu bërë që të kishim sistem kontrolli eficent që të mos lejonin këtë rritje. Duket sikur vjen nga një akord i tregut. Shteti po provon me nisma të ndryshme që të ulë çmimet një nga këto është ulja e TVSH”, thotë Spaho.

Mes produkteve të shportës për të cilat do të aplikohet reduktimi i TVSH renditen buka, qumështi, vezët, orizi, makaronat, mishi apo edhe vaji.

Të Fundit