Një denoncim i mbërritur në emisionin “Stop” ngre dyshime serioze për falsifikimin e produktit farmaceutik “Reflux ACT shurup”, të importuar në Shqipëri nga kompania FlorFarma sh.p.k. Sipas denoncimit, një sasi e madhe e këtij produkti, që kishte skaduar në vitin 2025, dyshohet, se është riambalazhuar, duke i ndryshuar datën e skadencës dhe numrin e lotit, për t’u rikthyer në treg.Për të verifikuar denoncimin, ne siguruam ambalazhin origjinal të produktit, me numër loti 23120124 dhe datë skadence dhjetor 2025. Përmes blerjeve me kamerë të fshehtë në disa farmaci të Tiranës, siguruam paketime, ku data e skadencës dhe numri i lotit rezultojnë të ndryshuara.Denoncimi iu përcoll edhe institucioneve të tjera, ndërsa pak ditë më vonë produktet e dyshuara u tërhoqën nga tregu. “Stop” ka dokumentuar edhe këtë tërheqje, por fakti që disa paketime ishin blerë në farmaci, ngre pikëpyetje serioze për kontrollin e produkteve farmaceutike, që u ofrohen qytetarëve.




