Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet në lidhje me plagosjen e Erion Vishkullit gjatë protestës së 24 tetorit.
Raportohet se janë sekuestruar pamjet filmike të kamerave të sigurisë, tek Banka e Shqipërisë, aty ku besohet se nga mund të identifikohet punonjësi i policisë së Shtetit që qëlloi me plumb gome në sy, protestuesin Erion Vishkulli. Po ashtu, Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar kartelën mjekësore që është hapur në spitalin e Traumës në Tiranë, ku 28-vjeçari u trajtua pas plagosjes.
Grupi i hetimit ka dërguar edhe një letërporosi në Itali, duke kërkuar nga autoritet spitalore ku është shtruar Erion Vishkulli, që t’i venë në dispozicion sferën e gomës që i ka mbetur në sy të riut.
Erion Vishkuli u godit me një plumb gome të gjuajtur nga policia, i cili i dëmtoi syrin. Në media u shfaqen momentet e rënda, ku 28-vjeçari shihej i shtrirë në tokë me syrin e gjakosur, teksa bërtiste nga dhimbjet. Shokët e tij e dërguan në spital me një makinë të mediave, ku ai iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale.
Pas kësaj ai u nis drejt kryeqytetit italian, Romës, për të marrë ndihmë më të specializuar. Plumbi i gomës ndodhej ende në syrin e të riut kur ai u nis me avion për në Itali.
Nga ana tjetër, raportohet se ky nuk është hetimi i vetëm që prokuroria e Tiranës në lidhje me protestën e studentëve.
Në total janë 10 dosje penale të hapura, ndërsa dhjetëra kallëzime penale janë depozituar në prokurori nga disa studio ligjore avokatie, nga Partia Demokratike dhe nga qendra ligjore “Respublika”.



