Kryeministri Edi Rama ka publikuar këtë të premte një video nga protesta para Kryeministrisë, pak pas komunikimit të tij me mediat, duke vënë sërish në pikëpyetje identitetin e protestuesve dhe duke i akuzuar se synojnë të krijojnë rrëmujë.
“Studentë? JO! Pedagogë? JO! Po çfarë janë këta që duan vetëm rrëmujë?!”, shkruan Rama mbi videon e publikuar në rrjetet sociale.
Në pamjet e shpërndara nga kryeministri shfaqen të rinj me kapuçë përpara godinës së Kryeministrisë, ndërsa disa prej tyre duken duke rrëzuar ulëset prej betoni, ku Rama ka vendosur çdo mëngjes ftesat e tij për dialog me protestuesit.
Publikimi vjen në ditën e 11-të të bojkotit në universitete dhe protestave studentore, ndërsa Rama ka vijuar të kundërshtojë pretendimin se lëvizja përfaqëson studentët dhe pedagogët, duke e lidhur atë me akte dhune dhe kaos.



