Tre ditë pas ngjarjes në Fier, ku një nënë goditi edukatoren e kopshtit pasi dyshonte se i kishte keqtrajtuar djalin 4-vjeçar, avokati i edukatores, Ervis Hajdarmataj, ka dhënë versionin e tij për atë që ka ndodhur. Ai pretendon se edukatorja nuk ka ushtruar dhunë ndaj fëmijës dhe se sanitarja e kopshtit nr. 10, nga e cila sipas tij nisën akuzat, ka ndryshuar dëshminë në polici, duke mohuar se ka pasur keqtrajtim.
Sipas Hajdarmatajt, nga këqyrja e kamerave të sigurisë, si dhe nga dëshmitë e personelit dhe të fëmijëve, nuk rezulton të jetë ushtruar dhunë ndaj 4-vjeçarit apo ndonjë fëmije tjetër në këtë kopsht.
Avokati ka treguar se në të njëjtin kopsht ka të regjistruar edhe dy fëmijët e tij. Ai tha se pas ngjarjes i ka pyetur nëse kishin parë edukatoren të ushtronte dhunë ndaj 4-vjeçarit, por të dy e kanë mohuar një gjë të tillë.
Duke iu referuar përplasjes mes nënës 29 vjeçare dhe edukatores 44 vjeçare, Hajdarmataj tha se incidenti ka ndodhur në prani të fëmijëve, duke i trembur ata. Sipas tij, edukatorja është goditur nga nëna e të miturit edhe në prani të efektivëve të policisë.
Ndërkohë, avokati bëri të ditur se sanitarja është larguar nga puna, ndërsa edukatorja vijon të jetë e pezulluar deri në përfundimin e hetimeve. Fëmija 4-vjeçar vazhdon të frekuentojë kopshtin.
Ngjarja ndodhi më 20 tetor, kur 29-vjeçarja shkoi në kopshtin shtetëror në Fier dhe dyshohet se goditi me shuplakë edukatoren 44-vjeçare, pasi dyshonte se kjo e fundit i kishte keqtrajtuar djalin 4-vjeçar. ndonëse ai nuk kishte shenja dhune. Edukatorja bëri kallëzim penal ndaj nënës së të miturit, ndërsa policia nisi procedim penal për të dyja gratë, të cilat po hetohen në gjendje të lirë.
Hajdarmataj u bëri thirrje prindërve që në situata të tilla të mos veprojnë në mënyrë impulsive, por të komunikojnë fillimisht me drejtuesit e institucioneve për të shmangur keqkuptimet dhe përshkallëzimin e tensioneve.



