Një 25-vjeçar është arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se ka vjedhur me dhunë portofolin e një 17-vjeçari në rrugën “Hoxha Tasim”, duke i shkaktuar edhe dëmtime trupore.
Sipas policisë, i riu e ka kryer vjedhjen nën kërcënimin e një mjeti prerës, thikë. Pas veprimeve hetimore, 25-vjeçari u identifikua dhe u ndalua mbrëmjen e 22 tetorit 2026, ndërsa ndaj tij rëndon akuza për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.
Ndërkohë, gjatë kontrollit të banesës së të riut, babai dhe motra e tij kanë kundërshtuar punonjësit e policisë, me qëllim pengimin e tyre në ushtrimin e kontrollit.
Për këtë arsye, dy familjarët janë proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Në një njoftim për një video të publikuar në rrjetet sociale, ku pretendohet se policia ka ndërhyrë gjatë natës në banesën e një familjeje, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka dhënë sqarimet e saj për ngjarjen.
Njoftimi i policisë:
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë/ Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale, në të cilën pretendohet se shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë gjatë natës në banesën e një familjeje, sqarojmë se:
Më datë 20.10.2026, një shtetas i mitur, 17 vjeç, ka kallëzuar se, në rrugën “Hoxha Tasim”, një shtetas i panjohur, nën kërcënimin e një mjeti prerës(thikë), i kishte vjedhur me dhunë portofolin, duke i shkaktuar dëmtime trupore.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 kanë bërë të mundur identifikimin dhe ndalimin, mbrëmjen e datës 22.10.2026, të shtetasit F. M., 25 vjeç, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.
Në vijim të veprimeve procedurale, shërbimet e Policisë kanë kryer kontrollin e banesës së këtij shtetasi.
Në kohën kur shërbimet e Policisë do të kryenin kontrollin e banesës, babai dhe motra e 25-vjeçarit kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë, me qëllim pengimin e tyre në ushtrimin e kontrollit të banesës.
Në vijim të veprimeve, u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit F. M. dhe M. M., për veprat penale “Pengimi i zbulimit të së vërtetës” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.



