STOP-EMISIONI 24(Sezoni 12) 12 Tetor 2026-Dogana 4-fishon faturat, motorret zaptojne portin, tarifat me vlera nga interneti

Një urdhër i brendshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, i datës 8 shtator 2026, ka ndryshuar mënyrën e përllogaritjes së vlerës së zhdoganimit të automjeteve, duke sjellë shqetësim te qytetarët dhe agjencitë doganore. Sipas denoncimit të mbërritur në “Stop”, një qytetar, që kishte porositur një motor nga Italia, ishte informuar paraprakisht, se zhdoganimi do t’i kushtonte rreth 400 mijë lekë të vjetra. Por, kur motorri mbërriti në shtator, ai mbeti në port, pasi vlera e re e përllogaritur ishte shumëfishuar.Përmes kamerës së fshehtë, agjencitë doganore shpjegojnë, se tashmë vlerësimi mbështetet te çmimet e motorëve në faqet e huaja online, duke marrë në konsideratë kilometrat, tipin, modelin, cilindratën dhe karburantin. Sipas shpjegimit të dhënë nga një agjenci, përllogaritja bëhet me 38% të vlerës së referencës, që gjendet në internet, dhe jo mbi faturën e blerjes së mjetit.Ndryshimi ka sjellë bllokimin e motorëve në port, pasi shumë pronarë nuk kanë mundësi të përballojnë kostot e reja. Sipas avokatit Klaudi Zholi, ndryshimi i mënyrës së vlerësimit përmes një urdhri të brendshëm ngre pikëpyetje për kompetencat e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe respektimin e kuadrit ligjor. Kodi Doganor, sipas materialit të kronikës, ka pasur ndryshimet e fundit ligjore në vitin 2014, të pasuara nga udhëzimi i vitit 2018 i Ministrisë së Financave, mbi bazën e të cilit janë përpiluar faturat e zhdoganimit.“Stop” i është drejtuar për një takim Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, por nuk ka marrë përgjigje.

Rregulla të reja, kufizime dhe detyrime për mësuesit dhe institucionet arsimore. Kodi i etikës synon të përcaktojë sjelljen dhe standardet, që duhet të respektohen në shkolla, duke vënë theksin te përdorimi i telefonave, paraqitja dhe ndalimi i simboleve të partive politike në mjediset arsimore.Por, përtej rregullave për mësuesit, çfarë ndodh me problemet, që prekin drejtpërdrejt nxënësit çdo ditë? Tekste shkollore me gabime, klasa kolektive, ku bashkohen nxënës të niveleve të ndryshme, si dhe shqetësimet për ngrohjen në shkolla gjatë muajve të ftohtë.

Disa ditë më parë transmetuam një problematikë nga qyteti i Korcës, ku qytetarja Ejona Rapollari, tregoi, se ishte punësuar përmes Zyrës së Punës si kujdestare fëmijësh pranë fondacionit “Misioni Emanuel”, me kontratë njëvjeçare dhe pagë 250 mijë lekë në muaj. Më 13 gusht, gjatë një aktiviteti në punë, Ejona u rrëzua dhe pësoi dëmtime serioze në gju. Ajo ka qëndruar në regjim shtrati dhe ka nevojë për ndërhyrje kirurgjikale.Pas aksidentit, ajo tha, se punëdhënësi nuk e deklaroi ngjarjen si aksident në punë, duke i krijuar probleme me përfitimin e pagesës së raporteve mjekësore.Nga ana tjetër, përgjegjësja e fondacionit, Gledis, pretendon, se aksidenti është deklaruar dhe se Ejona po paguhet sipas ligjit. Por verifikimi i Sigurimeve Shoqërore në Korçë nxorri një tjetër situatë: fondacioni nuk kishte bërë aplikimin për trajtimin e Ejonës si të aksidentuar në punë, ndërsa pagesa po trajtohej si raport për sëmundje të përgjithshme.Edhe Inspektorati i Punës në Korçë, përmes inspektores Rina Pëllumbi, konfirmoi, se subjekti nuk e kishte deklaruar ngjarjen. Vetë Inspektorati, pas kontrollit, e ka klasifikuar ngjarjen e 13 gushtit si aksident në punë dhe i ka dhënë masë fondacionit për mosdeklarimin. Pas ndërhyrjes së Inspektoratit, subjektit iu kërkua, të kryejë aplikimin, që Ejona të përfitojë pagesën e raporteve për paaftësi në punë.Pas konsultimeve me ekspertë të fushës, dhe pas konfirmimit në Institutin e Sigurimeve Shoqërore, u gjet hapësira ligjore, që rasti i Ejonës të trajtohet si aksident në punë dhe ka nisur procedura, që trajtimi të bëhet me 100% të pagës edhe e raporteve mjekësore.

Të Fundit