Tentuan të korruptonin policët rrugorë për t’i shpëtuar gjobës, procedohen 3 shoferë në Durrës dhe Kavajë

Tre drejtues automjetesh janë proceduar penalisht në Durrës dhe Kavajë, pasi dyshohet se tentuan të korruptonin punonjësit e Policisë Rrugore për të shmangur ndëshkimin për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Sipas njoftimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, gjatë monitorimeve të kryera nga shërbimet e Policisë Rrugore në Durrës dhe Kavajë, janë konstatuar disa drejtues automjetesh që po kryenin shkelje të Kodit Rrugor.

Në tre raste të veçanta, dy në Durrës dhe një në Kavajë, drejtuesit e mjeteve, të cilët rezultonin me dokumentacion të parregullt, dyshohet se u kanë ofruar para punonjësve të policisë me qëllim shmangien e masës administrative.

Për këto raste, policia ka referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për tre shtetasit me inicialet K. M., 47 vjeç, dhe E. A., 30 vjeç, të dy banues në Durrës, si dhe A. K., 35 vjeç, banues në Peqin.

Ata dyshohen për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Të Fundit