Në muajin prill transmetuam një vëzhgim në plot 13 shkolla të Tiranës, për të parë funksionimin e shërbimit shëndetësor. Edhe pse mjekët dhe stomatologët rezultojnë të planifikuar me grafikë, për të mbuluar institucionet arsimore, në praktikë prania e tyre ishte e rrallë, ose inekzistente. Kamera jonë provoi mungesë të plotë të mjekëve, ose prezencë sporadike të tyre.Nga dëshmitë e rojeve, mësuesve dhe nxënësve, doli, se këta specialistë lëvizin nga një shkollë në tjetrën, ose mungojnë për periudha të gjata, duke e bërë shërbimin joefektiv. Pas transmetimit tonë, Operatori i shërbimeve të kujdesit shëndetësor, njoftoi, se janë pezulluar të gjithë punonjësit e transmetuar në emision dhe nga verifikimet, do të merren masa të tjera në varësi të mungesave edhe për drejtuesit e shërbimit. Raporti i auditimit nxorri në pah,se nga grafiku i shpërndarjes, kishte pabarazi në punësimin e mjekëve dhe stomatologëve. 8 punonjës nuk paraqiteshin me vite në punë e ndërkohë paguheshin.Në Liceun Artistik mjekja stomatologe Entela Metani, kishte kryer procedura stomatologjike pa autoklavë.Po kështu, janë gjetur medikamente të skaduara në shkolla.Ne iu drejtuam Drejtorisë rajonale të Operatorit të Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor, ku drejtoresha Suida Kuka, mohon të ketë dijeni për këtë rast dhe për raportin e hartuar. Ndricim Mehmeti thotë, se ky është skandal, për të cilin, duhet të mbajnë përgjegjësi institucionet shëndetësore dhe arsimore.
Emërtimi i një rruge me emrin e deformuar të patriotit shqiptar Kostandin Kristoforidhi, i shndërruar në “Kristofor Foridhi” në Ksamil, vijon të shkaktojë debate, por edhe humor. Mësohet, se vendimi i emërtimit të kësaj rruge, është i vitit 2015, nga ana e Këshillit bashkiak, por askush nuk e ka korrigjuar këtë tabelë.
Në mes të muajit prill transmetuam një konflikt mes ortakëve të një shoqërie të krijuar që në vitin 1994, që coi në zbulimin e një ndërtimi të madh pa leje në zonën e Paskuqanit, në Bashkinë Kamëz. Denoncimi u bë nga Dritan Qoqi, i cili jeton në Angli, ndaj ortakut të tij Alfred Gjata, që zotëron 51% të aksioneve të shoqërisë, ndërsa 49% i përkiste familjes së babait të Dritanit, tashmë i ndjerë.Sipas denoncimit, Gjata kishte ndërmarrë veprime të njëanshme në administrimin e kompanisë, duke zhvilluar mbledhje fiktive dhe duke ndryshuar administratorin, pa dijeninë e bashkëpronarëve, që jetojnë prej vitesh në Angli. Situata u rëndua më tej, kur në pronën e përbashkët prej rreth 1400 m², e rrethuar me mur në Paskuqan, nisi ndërtimi i një kapanoni të madh pa leje ndërtimi dhe pa miratimin e të gjithë ortakëve.Gazetarët e emisionit “Stop” verifikuan në terren, se ndërtimi ishte në zhvillim e sipër, ndërsa përfaqësuesit e shoqërisë, përfshirë administratorin Petrin Dodona dhe vetë Alfred Gjatën, nuk dhanë përgjigje për këtë situatë.Ne iu drejtuam Bashkisë Kamëz dhe IMT-së, ndërsa në terren konfirmuam sërish vijimin e punimeve, për të cilin, u njoftua dhe policia dhe OPGJ i Prokurorisë. Në përfundim, u procedua sërish me gjobë dhe u urdhërua arrestimi i Alfred Gjatës, i shpallur në kërkim.



