Kryeministri Edi Rama, gjatë prezantimit të platformës së re “Flamingo Mirror”, e cila është një platformë ku do të publikohen dosje dhe dokumente të rëndësishme qeveritare, theksoi se do të publikohet edhe dosja e KAYO-s.
Kreu i qeverisë theksoi se kjo platformë e re do të zbulojë të vërtetën dhe do të jetë një mundësi për të ndjekur në kohë reale çdo projekt publik të financuar nga taksat e qytetarëve.
“Shumë shpejt do të publikojmë dosjen qeveritare të KAYO, një tjetër emër që përflitet në rrugët e kanaleve sociale dhe në hapësirat e medias televizive. Me platformën e re do zbuloni të vërtetën.
Pjesë e Pasqyrë Albania do të jetë edhe mundësia për të ndjekur në kohë reale çdo projekt publik të financiar nga taksat e qytetarëve. Po ashtu, në pasqyrën e Flamingos ka edhe një komponent me pyetje dhe përgjigje zyrtare.
Është shumë e rëndësishme të thuhet se në Pasqyrën e Flamingos nuk ka retorikë, deklarata politike, përgënjeshtrime, ka vetëm gjuhë faktesh të mbështetur në referenca ligjore, dokumente zyrtare dhe është një hapje si të thuash e bibliotekës së fshehtë të pushtetit ekzekutiv.
Është në zhvillim e sipër. Edhe dosja e sotme është në zhvillim e sipër, sepse në të do të shtohen edhe dokumentet që do të vijnë në vazhdim. Do t’i shtohen projekti urbanistik, studimi për ndikimin në mjedis dhe gjithçka tjetër që mungon. Për këtë arsye dosja është e hapur. Kur dosja mbyllet, aty ka edhe një status që thotë: Dosje e mbyllur.
Pyetjet janë produkt i hulumtimit me AI të gjithçkaje që diskutohet në rrjetet sociale dhe gjithçkaje që del edhe nga mediat tradicionale. Nuk janë pyetje të përzgjedhura, por të vendosura në radhë në numër të konsiderueshëm. E rëndësishme të theksohet është se dosja vendoset në Pasqyrën e Flamingos, duke u nisur nga një interes i posaçëm publik në momentin që bëhet kjo zgjedhje.
Por te Pasqyrë Albania në sektorë të ndryshëm, çdokush do të jetë në gjendje të marrë përgjigjen për çështjen që i intereson lidhur me punët publike, investimet apo ndërtimet në qytetin e tij. Është punë voluminoze, ka angazhim të madh të atyre që po merren me ndërtimin. Janë të përfshirë juristët, sepse Pasqyrë Albania do të integrohet në ligjin e bashkëqeverisjes”, theksoi Rama.



