Një 21-vjeçar është arrestuar këtë të shtunë në Dibër, pasi ditën e djeshme ka kërcënuar pronarin e një karburanti me një bombë false dhe letër kërcënuese, duke i kërkuar 50 mijë euro.
Sipas raportimeve të policisë, në pranga ka rënë E. K., 21 vjeç, i cili vendosi kutinë e dyshimtë në ambientet e karburantit, mbi të cilën ndodheshin një ekran, pjesë elektronike dhe tela, duke krijuar dyshimin se bëhej fjalë për një pajisje shpërthyese të telekomanduar.
Menjëherë pas marrjes së këtij njoftimi, forcat speciale RENEA ka kryer hapjen e kësaj kutie, ku zbuluan se brenda saj nuk kishte lëndë shpërthyese.
Njoftimi i plotë i policisë:
Më datë 02.10.2026, shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe shërbimet Operacionale në DVP Dibër, finalizuan operacionin policor të koduar “Kërcënimi”.
Si rezultat i reagimit të menjëhershëm dhe hetimit intensiv, brenda pak orësh u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit E. K., 21 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.
Pas mbërritjes së forcave speciale xheniere të RENEA-s, u krye hapja dhe kontrolli i kutisë, nga ku rezultoi se brenda saj nuk kishte lëndë shpërthyese.
Nga hetimet e kryera rezultoi se ky shtetas dyshohet se, rreth orës 14:30, në ambientet e një karburanti në pronësi të shtetasit Z. Sh., kishte vendosur një kuti të dyshimtë, mbi të cilën ndodheshin një ekran, pjesë elektronike dhe tela, duke krijuar dyshimin se bëhej fjalë për një pajisje shpërthyese të telekomanduar.
Mbi kuti ishte vendosur një letër kërcënuese, përmes së cilës kërkohej pagesa e shumës prej 50 000 eurosh, në formën e një gjobe. Pagesa kërkohej të kryhej në kriptomonedha, përmes një pike këmbimi të kriptomonedhave, në adresën e përcaktuar nga autori.
Në letër, autori kërcënonte se kutia do të shpërthente nëse pagesa nuk kryhej brenda afatit të përcaktuar prej tij, nëse kutia do të lëvizte ose nëse do të njoftohej Policia apo persona të tjerë.
Gjithashtu, ai pretendonte se kutia përmbante lëndë plasëse C4, ishte e pajisur me sensorë lëvizjeje dhe telekomandim dhe se ambienti monitorohej me kamera.
Nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Dibër, për veprime të mëtejshme.



