Elbasani u godit nga një prej stuhive më intensive të muajve të fundit, ku në vetëm 30 minuta ranë 60 milimetra shi, duke shkaktuar përmbytje në banesa e bodrume, dëmtime në dhjetëra automjete dhe probleme në qarkullim.
Bilanci paraprak i Bashkisë Elbasan flet për rreth 30 banesa dhe 20 bodrume të prekura nga uji, ndërsa dëmet më të mëdha janë regjistruar në automjetet e parkuara në parkimet nëntokësore, ku uji depërtoi me shpejtësi.
Menjëherë pas stuhisë, ekipet e emergjencave dhe shërbimeve publike zbritën në terren, duke përdorur pompa për largimin e ujit dhe duke ndërhyrë për hapjen e rrugëve të bllokuara.
Reshjet rrëzuan edhe 10 pemë në zona të ndryshme të qytetit, ndërsa prurjet e ujit sollën materiale në disa akse rrugore të njësive administrative, ku u desh ndërhyrja e mjeteve të bashkisë për pastrimin dhe rikthimin e qarkullimit.
Pavarësisht intensitetit të reshjeve, deri tani nuk raportohen persona të lënduar, ndërsa strukturat vendore vijojnë evidentimin e dëmeve dhe ndërhyrjet në zonat e prekura.



