Dy persona janë ndaluar nga Policia në Tropojë, pasi dyshohet se kanë shkelur rregullat e mbrojtjes në punë, lidhur me ngjarjen e rëndë ku një punonjës i Bashkisë humbi jetën dhe tre të tjerë u dëmtuan pasi ranë në kontakt me energjinë elektrike.
Të ndaluarit janë Ndriçim Gjocaj, 36 vjeç, Drejtor i Drejtorisë së Turizmit, Shërbimeve Publike dhe Transportit, dhe Gëzim Hasanpapaj 60 vjeç, Drejtues Teknik i punimeve, të dy banues në Bajram Curri.
Ngjarja ndodhi më 8 shtator, rreth orës 10:00, në rrugën e Dobravës, pranë fshatit Bujan. Sipas hetimeve paraprake, katër punonjës të Sektorit të Shërbimeve të Bashkisë Tropojë po vendosnin një shtyllë ndriçimi në bazament, kur kanë humbur ekuilibrin dhe shtylla ka prekur telat e energjisë elektrike.
Kontakti me telat ka bërë që rryma të përcillet te katër punonjësit. Si pasojë, M. S. humbi jetën, ndërsa A. D., I. D. dhe A. A. u dëmtuan dhe u transportuan në spital. Tre të plagosurit ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Policia, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësive.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.




