Komunikimi me qytetarët dhe mënyra se si Policia përfaqëson uniformën kanë qenë në fokus të takimit të zhvilluar sot në Drejtorinë Vendore të Policisë së Korçës, ku Skënder Hitaj ka përcjellë disa porosi për drejtuesit dhe strukturat vendore.
Një nga kërkesat kryesore ka qenë forcimi i komunikimit me komunitetin. Sipas Hitajt, Policia duhet të jetë më e aksesueshme për qytetarët dhe të krijojë një marrëdhënie më të drejtpërdrejtë me ta. Në këtë kuadër, është kërkuar që linjat e komunikimit të jenë të hapura, nga shefat e komisariateve deri te drejtori i qarkut, në mënyrë që problematikat e qytetarëve të marrin përgjigje dhe trajtim në kohë.
Në fokus ka qenë edhe sjellja e punonjësve të Policisë në kontakt me qytetarët. Uniforma, sipas porosive të dhëna, duhet të përfaqësohet me korrektësi, dinjitet dhe profesionalizëm. Efektivi i Policisë nuk duhet të shihet vetëm si figurë e autoritetit dhe ndëshkimit, por edhe si një person që orienton, ndihmon dhe garanton sigurinë e qytetarëve.
Kërkesa ka qenë gjithashtu për një performancë më të mirë të strukturave policore dhe një prani më të dukshme në terren. Vëmendje e veçantë i është kushtuar sigurisë në shkolla, me qëllim forcimin e masave parandaluese dhe rritjen e pranisë së Policisë në ambientet ku ndodhen fëmijët dhe të rinjtë.
Sa i përket kontrolleve në bizneset, është kërkuar që ato të jenë të planifikuara dhe të koordinuara. Drejtori i Qarkut duhet të ketë dijeni për planin e masave dhe mënyrën se si do të zhvillohen kontrollet, duke shmangur veprimet e pakordinuara.
Edhe Policia Rrugore ka marrë porosi të qarta. Efektivët duhet të jenë të dukshëm në rrugë dhe jo të qëndrojnë të fshehur pas ferrave, me qëllim që prania e tyre të shërbejë më shumë për parandalimin e shkeljeve sesa vetëm për ndëshkimin e tyre. Qasja duhet të jetë ndihmuese dhe parandaluese ndaj drejtuesve të mjeteve dhe qytetarëve.
Mesazhi i përcjellë gjatë takimit ka qenë për një polici më të hapur, më të komunikueshme dhe më pranë komunitetit, ku mënyra e sjelljes dhe përfaqësimit të uniformës të jetë po aq e rëndësishme sa edhe zbatimi i ligjit.



