Kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama ditën e sotme ka marrë pjesë në Forumin e Dytë të Inovacionit, me fokus tek Inteligjenca Artificiale dhe zhvillimi i sektorit të teknologjisë në Shqipëri.
E pranishme ishte edhe ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj.
Në fjalën e tij, kryeministri Rama tha se gjërat në botën e teknologjisë së informacionit kanë ndryshuar me shpejtësi marramendëse.
Rama: Këtu kemi në qendër të bisedave të ditës së sotme Inteligjencën Artificiale, për të cilën ne po përgatitetmi për një program kombëtar ku të gjihtë do kenë mundësi të thonë fjalën e tye dhe të gjejnë vendin e tyre. Gjithashtu ne jemi të vetëdijshëm se të gjitha temat e diskutimit, janë në një dinamikë të jashtëzakonshme, gjë që nga një anë është një bekim i madh për vende si i yni, sepse mund të bëjmë kapërcime të mëdha falë teknologjisë dhe nga ana tjetër është një sinjal i vazhdueshëm alarmi sepse po ashtu mund të mbetemi shumë mbrapa nëse nuk ecim me ritmin e kësaj kohe të re.
Rama tha se janë tre elementë që duhen mbajtur parasysh për këtë forum; problemet reale, propozime konkrete të zbatueshme, jo dëshira të përgjithshme dhe gatishmëri për t’u angazhuar të gjithë së bashku.
Rama: Sot sektori i teknologjisë eksporton 220 milionë euro produkte. Sot në këtë sektor janë aktivë thuajse 30 mijë profesionistë të teknologjisë, një shifër që ka ndryshuar edhe brenda këtij viti. 7 nga 10 protagonistë të këtij sektori janë nën moshën 35 vjeç. Sot kemi një rritje pagash shumë domethënëse në këtë sektor dhe nga ana tjetër, në prodhimin e përgjithshëm kombëtar të Shqipërisë, sektori ka një peshë të lexueshme, deri dje të papërfillshme, prej 2.2%. Duhet të jetë më e lartë, por është një shifër kuptimplotë për potencialin e vet. Sot në platformën e-Albania kemi 3.4 milionë subjekte, qytetarë dhe biznese të regjistruar.
Rama theksoi se është domosdoshmëri që tani të ngrihet një strukturë publike dhe një kapacitet kompjuterik kombëtar që të bëjë të mundur që të dhënat shtetërore të jenë të aksesushme në mënyrë të sigurt qoftë për sipërmarrjen, qoftë për botën akademike.




