Dy biznesmenë në qarkun e Beratit kanë rënë pre e vjedhjeve gjatë 10 ditëve të fundit.
Njëra prej vjedhjeve ka ndodhur në biznesin “Veza e Mëngjesit”, në aksin nacional Berat-Dimal, në pronësi të shtetasit Leonard Fani. Autorët kanë hyrë gjatë natës, pasi kanë shqyer derën kryesore të godinës, dhe kanë marrë kasafortën.
Vjedhja e dytë është regjistruar në banesën e shtetasit Lumnir Osoja, pronar i kompanisë “Center Albania”. Edhe në këtë rast, hajdutët kanë shqyer derën kryesore dhe kanë marrë kasafortën.
Burime pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Berat bëjnë me dije se, sipas deklarimeve të bëra nga dy biznesmenët në polici, në secilën prej kasafortave ndodheshin rreth 100 milionë lekë.
Të njëjtat burime bëjnë me dije se dyshohet se pas vjedhjeve fshihet një grup prej disa personash, të cilët kanë vepruar të maskuar dhe me kapuça.
Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë të biznesit dhe banesës, ndërsa deri tani nuk është bërë i mundur identifikimi i autorëve.
Policia e Shtetit nuk ka dhënë deri më tani asnjë informacion zyrtar për këto dy raste.
Hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve.




