Një 20-vjeçar me shtetësi franceze është gjetur pa shenja jete orët e para të mëngjesit të kësaj të marte, në shezlongët e plazhit në Ksamil.
Sipas raportimeve nga policia, trupi i viktimës, Miguel Mendes, rreth 20 vjeç, është gjetur rreth orës 05:15. Dyshohet se ai është goditur me mjet prerës, thikë, nga autori i dyshuar, Sokrat Vata 29 vjeç, i cili raportohet se është larguar menjëherë pas ngjarjes.
“Rreth orës 05:15, në shezlongët e plazhit, para një lokali në Ksamil, është gjetur pa shenja jete shtetasi francez M. M., rreth 20 vjeç, i cili dyshohet se është goditur me mjet prerës (thikë).
Nga veprimet paraprake dyshohet se, gjatë një konflikti për motive të dobëta, 20-vjeçari është goditur me mjet prerës nga shtetasi S. V., 29 vjeç, banues në Has, i cili është larguar menjëherë pas ngjarjes.
Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.
Ndërkohë, Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë.



