Nxorën armët e goditën bodygardët/ AMP-ja asnjë masë disiplinore për policët e shefin e krimeve, Mateo Bakallin

Ajo që ndodhi në ambientet e club “Orange” në Sarandë, tregon një situatë që Policia e Shtetit, nuk duhet të masë forcën e saj me arrestimin e çdo qytetari që i del para, por më parë duhet të bëjë një analizë të detajuar mbi veprimet e kryera nga vetë punonjësit e policisë.

Pamjet filmike të transmetuara në media, tregojnë një situatë jo normale të policisë, ku siç duket dhe në video, situata është provokuar më tepër nga shefi i krimeve të komisariatit të Sarandës, Mateo Bakalli, se sa nga klientët që ndodheshin në ambientet e clubit të njohur në Sarandë.

Konflikti, fillimisht ka ndodhur jo mes policisë dhe punonjësve të sigurisë së clubit “Orange” (një pjesë e tyre policë dhe ushtarakë), por sheri ka nisur mes disa klientëve, ku 3 djem të dehur kanë ngacmuar të fejuarën e një djali tjetër që ishin prezent brenda në club.

Përplasja e ndodhur mes tyre, ka sjellë dhe ndërhyrjen e punonjësve të sigurisë të vetë clubit të njohur në Sarandë, të cilët kanë nxjerë palët e përfshira në konflikt jashtë ambientit të clubit.

Por kjo skenë e nxjerrjes jashtë me forcë, është parë dhe nga shefi i krimeve të komisariatit të Sarandës, Mateo Bakalli, i cili po kalonte me makinën private aty në rrugë, ku ndodhet dhe hyrja e clubit “Orange”.

Bakalli, ka zbritur nga makina e tij dhe pa asnjë mjet dallues të Policisë së Shtetit, ka filluar të kërkojë sqarime dhe llogaridhënie se çfarë kishte ndodhur.

Në pamjet filmike shefi i krimeve të Sarandës, shfaqet nga rruga në hyrje të lokalit “Orange” me bluzë të bardhë dhe nuk ka nxjerë asnjë shenjë dalluese të Policisë së Shtetit, për tu identifikuar.

Ai fillon të kërkojë llogari punonjësve të sigurisë dhe këta të fundit nuk dinin se kush ishte realisht personi i veshur me bluzë të bardhë.

E teksa në këtë moment, situata është qetësuar mes klientëve, por është agravuar akoma dhe më shumë mes punonjësve të sigurisë dhe shefit të krimeve të komisariatit të Sarandës, i cili kërkoi forca shtesë policore duke çuar në përleshje fizike me bodygardët e clubit “Orange”.

Të dyja palët përfshihen në përplasje fizike, teksa punonjësit e policisë dhe shefi i krimeve Mateo Bakalli, në shoqërim e sipër të punonjësve të sigurisë së clubit, i godasin ata me grushta edhe pse i kishin prangosur më parë.

Madje në pamjet filmike njëri prej punonjësve të policisë së Sarandës, ka nxjerë armën e shërbimit pistoletë, duke e mbajtur atë me kënd drejtimi tek personat që po shoqëronin dhe dhunonin.

Bakalli, i cili duhet të ishte pezulluar nga detyra dhe organet kompetente të vlerësonin në mënyrë të pavarur nëse ndaj tij duhej të merrej ndonjë masë sigurie për veprimet e denoncuara si të dhunshme, ai vijon normalisht funksionin dhe urdhëron të tjera ndërhyrje dhe veprime policore arbitrare.

Kjo ngre pikëpyetje serioze mbi paanshmërinë e procesit të hetimit dhe zbardhjes reale të shkaqeve të ngjarjes.

Një person i denoncuar si i përfshirë drejtpërdrejt në një ngjarje të dhunshme, nuk duhet të ketë mundësi të ndikojë mbi veprimet policore që lidhen me të njëjtin subjekt apo mbi personat që mund të jenë dëshmitarë të asaj ngjarjeje të rëndë.

Mateo Bakalli i kapur haptazi duke goditur një shtetas në krye të detyrës, pranë Orange Club.

Si rregull, për një ngjarje të tillë ai duhet të ishte arrestuar në flagrancë dhe të ishte vendosur përpara përgjegjësisë penale, pasi bëhet fjalë për një ngjarje të rëndë, ku dyshohet për të paktën dy vepra penale që dënohen me burg deri në 7 vjet.

Ai dyshohet se ka shpërdoruar detyrën dhe ka kryer veprime arbitrare me dhunë gjatë ushtrimit të funksionit. Të gjithë e panë dhe e dënuan publikisht këtë veprim, por duket se vetëm drejtësia dhe shteti, nuk po e shohin.

Nëse ky është standardi i policisë së shtetit dhe drejtësisë atëherë pyetja është, kushdo që bëhet shef në Sarandë ka të drejtë të vendosë gjoba, të ushtrojë presion, të shoqërojë qytetarë pa arsye dhe të përdorë policinë sipas dëshirës së tij?

Apo ligji duhet të vlejë njësoj, edhe për ata që mbajnë gradën dhe uniformën?

Të Fundit