Dy persona janë vënë në pranga në Lezhë dhe Kurbin, pasi dyshohet se kanë ushtruar dhunë ndaj familjarëve të tyre, ndërsa gjatë kontrolleve në banesat e tyre Policia gjeti armë zjarri, municion luftarak dhe lëndë plasëse.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit këtë të premte, në Lezhë u arrestua në flagrancë 33-vjeçari M. P., banues në Lezhë. Ai dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së vëllait.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, efektivët gjetën dhe sekuestruan 5 kallëpë tritoli, një pushkë dhe municion luftarak.
Ndërkohë, në Kurbin u arrestua në flagrancë 48-vjeçari G. K., banues në Mamurras, i dyshuar për ushtrim të dhunës psikologjike ndaj babait të tij.
Në banesën e 48-vjeçarit, të fshehura, policia gjeti një armë zjarri automatik, me fishek në fole, si dhe municion luftarak.
Policia thotë se arrestimet u kryen pas telefonatave për raste të dhunës në familje dhe falë veprimeve të shpejta operacionale të strukturave të Policisë së Lezhës dhe Kurbinit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme.



