Do të martohej me shqiptaren 35 vite më të re, gjykata i ndalon martesën 86-vjeçarit italian

Një martesë e pazakontë në Mugello, në zonën e Firences, është ndaluar pas dyshimeve të ngritura gjatë procedurave të martesës mes një 86-vjeçari italian dhe një gruaje me origjinë shqiptare, 35 vite më të re.

Sipas medias italiane La Nazione, 86-vjeçari kishte mbetur i ve prej pak kohësh dhe u kishte shprehur familjarëve dëshirën për t’u martuar me 51-vjeçaren shqiptare.

Çifti ishte paraqitur në muajin prill në zyrat e gjendjes civile për të nisur procedurat. Por gjatë verifikimeve, zyrtari i gjendjes civile vuri re disa elemente që ngritën pikëpyetje mbi gjendjen e të moshuarit dhe aftësinë e tij për të kuptuar plotësisht vendimin që po merrte.

Sipas raportimeve italiane, 86-vjeçari ishte shfaqur i hutuar dhe nuk kishte qenë në gjendje të shpjegonte qartë arsyet e martesës. Dyshimet u shtuan edhe pasi u konstatua se ai i kishte dhënë gruas shuma të konsiderueshme parash.

Vëmendje të veçantë tërhoqi edhe një dokument i procedurës së martesës. Në të ishte zgjedhur regjimi i bashkësisë së pasurisë, ndërsa firma e vendosur në dokument nuk përputhej me një firmë tjetër të 86-vjeçarit, të hedhur më parë përpara zyrtarit të gjendjes civile.

I pyetur për këtë, i moshuari mohoi se firma ishte e tij.

Hetimet ngritën gjithashtu pikëpyetje mbi njohuritë që ai kishte për pasurinë e tij të paluajtshme. Sipas mediave italiane, ai nuk dukej se kishte një pasqyrë të qartë të pronave që zotëronte.

Përballë këtyre rrethanave, procedura e martesës u ndalua dhe më pas ndërhyri Gjykata e Firences. Prokuroria ka hapur një hetim për “circonvenzione di incapace”, vepër që lidhet me përfitimin nga gjendja e një personi të paaftë ose veçanërisht të cenueshëm. 86-vjeçari konsiderohet personi i dëmtuar në këtë hetim.

Autoritetet italiane po verifikojnë nëse vendimet e tij janë marrë në mënyrë të lirë dhe të vetëdijshme apo nëse ka pasur ndikim ose përfitim nga gjendja e tij.

Rasti është raportuar fillimisht nga La Nazione dhe është pasqyruar edhe nga media të tjera italiane, përfshirë OK!Mugello dhe Il Filo del Mugello./La Nazione

Të Fundit