Berisha: Sondazhet e fundit tregojnë rënie katastrofike të PS-së

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi këtë të mërkurë se sondazhet e fundit të brendshme të Partisë Socialiste tregojnë një rënie të ndjeshme të mbështetjes për PS-në, duke pretenduar se partia ka zbritur në 29 për qind.

Në një deklaratë gjatë konferencës për shtyp, Berisha tha se bëhet fjalë për sondazhe të kryera nga vetë Partia Socialiste dhe jo nga opozita.

“Pollet e fundit të bëra nga PS kanë një rënie katastrofale. Partia e krimit është rrokullisur në shifrat e saj në 29 përqind”, u shpreh Berisha.

Sipas tij, nëse në këto shifra do të merrej parasysh edhe “koeficienti i frikës”, mbështetja për socialistët do të ishte edhe më e ulët.

Berisha pretendoi gjithashtu se kryeministri Edi Rama renditet nën nivelin e mbështetjes së vetë Partisë Socialiste.

“Edi Rama vetë qëndron nën partinë. Se atyre u thotë u tërheq unë”, deklaroi kreu i PD-së.

Sipas Berishës, këto të dhëna kanë shkaktuar shqetësim të madh brenda Partisë Socialiste.

“Kjo ka ngjallur një alarm të jashtëzakonshëm”, tha ai.

Berisha e shoqëroi deklaratën me një sulm politik ndaj qeverisë, duke u shprehur se “narkoshteti po shkërmoqet” dhe “po degradon”.

Të Fundit