Rama: E pabesueshme po e vërtetë, Shqipëria e para në botë për sigurinë kibernetike

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar këtë të martë se Shqipëria ka dalë në vendin e parë në botë në National Cyber Security Index (NCSI), me 98.33 pikë. Rama e ka cilësuar rezultatin si një sukses historik, duke e lidhur drejtpërdrejt me transformimin e sigurisë kibernetike pas sulmit të rëndë të vitit 2022.

“LAJM I PABESUESHËM PO 100% I VËRTETË”, shkruan Rama në një postim, duke e nisur mesazhin e tij me një reflektim mbi rolin e teknologjisë digjitale dhe mundësinë që vendet në zhvillim të kapërcejnë me shpejtësi etapa të zhvillimit.

Sipas kryeministrit, sulmi kibernetik i 15 korrikut 2022 ndaj Shqipërisë ishte një moment kyç që ndryshoi qasjen e vendit ndaj mbrojtjes së infrastrukturës digjitale.

“Më 15 korrik 2022, kur regjimi kriminal i Teheranit ndërmori sulmin e paprecedentë kundër infrastrukturës sonë digjitale, synimi ishte sa i qartë, aq edhe i egër: Të gjunjëzonte një shtet të vogël demokratik”, shprehet Rama.

Ai argumenton se në atë kohë Shqipëria rrezikonte të kthehej pas në procesin e digjitalizimit, ndërsa thekson se, falë edhe mbështetjes së partnerëve ndërkombëtarë, sulmi nuk arriti objektivin e tij.

“Ai sulm mund të na kishte kthyer mbrapa në epokën e sporteleve dhe radhëve të pafundme, duke na hedhur në lumë qindra miliona euro të investuara ndër vite në Shqipërinë Digjitale, sepse mbrojtja jonë kibernetike ishte ende e dobët. Por edhe falë partnerëve tanë, rezistuam dhe nuk na gjunjëzuan”, shkruan kryeministri.

Sipas Ramës, sulmi shërbeu si pikënisje për një transformim të thellë të kapaciteteve shqiptare të sigurisë kibernetike.

“Përkundrazi, ai sulm u bë pikënisja e një kthese epokale”, thekson ai, duke shtuar se objektivi ishte kalimi nga vendet me mbrojtje të dobët në grupin e shteteve me sisteme të avancuara të sigurisë kibernetike.

Rama ka renditur edhe ecurinë e Shqipërisë në klasifikimin ndërkombëtar. Sipas tij, pas sulmit të vitit 2022, vendi u ngjit në vendin e 54-t në vitin 2023, ndërsa në vitin 2025 arriti në vendin e 15-të.

“Më 15 korrik 2022 u goditëm. Në vitin 2023 kaluam në vendin e 54 falë nisjes së ndërtimit të një arkitekture të re të mbrojtjes dhe mbledhjes së kapaciteteve të larta profesionale në agjencinë e re të mbrojtjes kibernetike”, shkruan Rama.

Ai shton se në vitin 2025 Shqipëria u ngjit në vendin e 15-të, pas zhvillimit të arkitekturës së re të mbrojtjes “në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë izraelitë”.

“Sot jemi në majën e klasifikimit botëror për zhvillimin e kapaciteteve kombëtare të sigurisë kibernetike”, deklaron kryeministri.

Kryeministri pretendon gjithashtu se sulmet kibernetike ndaj Shqipërisë nuk janë ndalur, por se ato nuk kanë pasur më të njëjtin efekt.

“Ndërkohë sulmet e regjimit kriminal të Teheranit, dhe jo vetëm, nuk kanë rreshtur asnjë ditë. Por nuk keni dëgjuar më gjë për to, sepse kanë dështuar me sukses çdo ditë”, shprehet Rama.

Ai e lidh rezultatin e Shqipërisë me investimet në teknologji, forcimin e institucioneve dhe përdorimin e Inteligjencës Artificiale në mbrojtjen kibernetike.

“Ky nuk është një kërcim magjik në renditje dhe as një dhuratë e rënë nga qielli, po rezultati i një pune të madhe për të ngritur kapacitete teknologjike të nivelit botëror, aftësi institucionale e profesionale të klasit të parë”, shkruan Rama.

Sipas tij, Shqipëria ka ndërtuar një sistem që nuk pret vetëm sulmin për të reaguar, por synon ta parandalojë atë.

Rama veçon në këtë drejtim edhe përdorimin e Inteligjencës Artificiale, duke pretenduar se bëhet fjalë për “modelin e parë të Inteligjencës Artificiale proaktive të futur në një arkitekturë mbrojtjeje kibernetike në Europë”.

Në pjesën përmbyllëse të reagimit, Rama e cilëson rezultatin si dëshmi të rëndësisë së aleancave dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

“Regjimi i Teheranit deshi të na tregonte sa të dobët ishim. Në fakt, na detyroi të bëhemi fuqia që jemi sot në mbrojtjen e Shqipërisë Digjitale”, shprehet ai.

Kryeministri e përshkruan ndryshimin e pozicionit të Shqipërisë si një kapërcim të jashtëzakonshëm: “Nga shënjestër e një prej sulmeve kibernetike më të rënda ndaj një vendi të NATO, sot Shqipëria është në avangardën botërore të zhvillimit të kapaciteteve kombëtare të sigurisë kibernetike.”

Rama e mbyll mesazhin me një paralajmërim se ky proces nuk konsiderohet i përfunduar.

“Puna vazhdon me këmbëngulje, sepse në botën e re të teknologjisë i pari sot mund të mbetet i fundit nesër, ndërkohë që muri ynë mbrojtës duhet të shtrihet kudo, edhe në sektorin privat”, shkruan kryeministri.

Të Fundit