Vuçiç paralajmëron ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër: Të shohim çfarë do të bëjnë shqiptarët

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka lëshuar një paralajmërim të ashpër dhe kërcënim ndaj Kosovës, duke përmendur një nismë tepër ekstreme.

Sipas mediave në Beograd, ai ka paralajmëruar mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së ujit të lumit Ibër, si kundërpërgjigje ndaj atyre që i cilëson si veprime të autoriteteve të Kosovës kundër popullsisë serbe.

Vuçiç deklaroi se Beogradi ka nisur konsultimet me ekspertë të fushave përkatëse.

“Duhet t’ju njoftoj, ne kemi ftuar tashmë ekspertë që merren me këtë, domethënë sektorin e ndërtimit, inxhinierët, të gjithë të tjerët… Ata po e keqtrajtojnë kaq shumë popullin tonë. Le të shohim, çfarë do të bëjnë shqiptarët dhe si do të sillen pas këtij veprimi?”, u shpreh presidenti serb.

Edhe pse Vuçiç nuk dha detaje të mëtejshme dhe as konfirmim përfundimtar nëse ky plan do të zbatohet realisht, paralajmërimi prek një nga nyjet më kritike të sigurisë dhe infrastrukturës në rajon.

Liqeni i Ujmanit, i cili krijohet nga diga e lumit Ibër, ka një rëndësi jetike për Kosovën. Nga ky liqen varet furnizimi me ujë i një pjese të madhe të vendit, si dhe një pjesë e konsiderueshme e prodhimit të energjisë elektrike.

Të Fundit