Tentoi të vriste me armë zjarri 38-vjeçarin pas konfliktit, arrestohet 31-vjeçari në Kavajë

Një 31-vjeçar është vënë në pranga këtë të shtunë nga Policia në zonën e Spillesë pasi tentoi të vriste me armë zjarri një person tjetër.

Sipas raportimeve të policisë, në pranga ka rënë 31-vjeçari Neldi Hallulli, pasi tentoi të vriste 38-vjeçarin Indrit Ramën.

Nga raportimet, dyshohet se 31-vjeçari ka pasur një konflikt me 38-vjeçarin dhe, në vijim të konfliktit, dyshohet se ka dashur ta vriste atë.

“Pas marrjes së informacionit në rrugë operative se në zonën e Spillesë, Rrogozhinë, po ndodhte një konflikt, shërbimet e Policisë u organizuan dhe ndërhynë menjëherë për parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit.

Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe të koordinuara të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë dhe Postës së Policisë Rrogozhinë, u bë e mundur kapja në flagrancë e shtetasit N. H. Në momentin e ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë, ky shtetas mbante një armë zjarri, “Kallashnikov”.

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se shtetasi N. H. kishte pasur një konflikt me shtetasin I. R. dhe, në vijim të konfliktit, dyshohet se kishte qëllim ta vriste atë.

Ndërhyrja e menjëhershme e shërbimeve të Policisë bëri të mundur parandalimin e një ngjarjeje të rëndë kriminale, duke shmangur përshkallëzimin e konfliktit dhe pasojat e rënda për jetën e 38-vjeçarit.

Po në vijim të veprimeve u procedua penalisht dhe shtetasi I. R., për “Dëmtime të tjera me dashje”, sepse ka goditur me grushte shtetasin N. H., duke i shkaktuar dëmtime të lehta trupore”, thueht në njoftimin e policisë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Të Fundit