Ambasada e Izraelit në Portugali bëri thirrje sot për anulimin e koncertit të reperit amerikan Kanye West, i planifikuar për sonte në Algarve të Portugalisë, duke gjykuar se muzikanti promovoi antisemitizmin dhe glorifikoi nazizmin me deklaratat e tij të mëparshme. Organizatorët thonë se nuk ka arsye sigurie për anulimin e eventit dhe se kërkesat bazohen në “dezinformata”.
Ambasadori i Izraelit në Portugali, Oren Rosenblatt, njoftoi se ambasada kërkoi anulimin e koncertit dhe u bëri thirrje qytetarëve të mos merrnin pjesë në të.
“Një person që lavdëroi Adolf Hitlerin, promovoi antisemitizmin dhe pretendoi se skllavëria ishte çështje zgjedhjeje nuk po përhap provokime, por gjuhë urrejtjeje”, tha Rosenblatt në një videomesazh të postuar në mediat sociale
Ai kujtoi deklaratat e mëparshme të West, në të cilat tha se “e do Hitlerin” dhe se është “nazist”, duke vlerësuar se mesazhe të tilla përfaqësojnë glorifikimin e regjimit nazist dhe gjuhën e urrejtjes kundër hebrenjve.
Rosenblatt deklaroi se disa vende kanë marrë tashmë masa për të parandaluar shfaqjet ose hyrjen e West në vend dhe vlerësoi se shoqëritë demokratike nuk duhet t’u ofrojnë hapësirë publike njerëzve që promovojnë nazizmin dhe antisemitizmin.
“Nëse nuk do të blije një biletë për një interpretues që nxit urrejtje kundër zezakëve, myslimanëve, të krishterëve ose komunitetit LGBT, pse duhet të jetë ndryshe kur shënjestra janë hebrenjtë?” tha ambasadori izraelit, duke theksuar se çështja nuk është një qëndrim politik kundër Izraelit, por gjuhë urrejtjeje kundër hebrenjve.
Drejtori i përgjithshëm dhe bashkëthemeluesi i organizatës “Raya Culture”, e cila organizon koncertin, Torkato George hodhi poshtë kërkesat për anulimin e eventit, duke gjykuar se ato bazohen në dezinformata.



