Zbulohen 130 bimë narkotike në Pukë, arrestohet një 55-vjeçar. Procedohet kryeplaku

Një 55-vjeçar është vënë në pranga këtë të premte pasi dyshohet se është autori i kultivimit të bimëve narkotike Cannabis Sativa në fshatin Arst.

Sipas raportimeve të policisë, në pranga ka rënë S. N., 55 vjeç, ndërkohë është proceduar penalisht kryeplaku i fshatit M. K., 60 vjeç, për shpërdorim detyre.

Gjatë operacionit në fshatin Arst, forcat e rendit zbuluan 130 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, të cilat u asgjësuan me djegie, ndërsa një pjesë e tyre u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë, si rezultat i kontrolleve intensive në terren dhe i hetimeve me metoda proaktive, për evidentimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve, finalizuan operacionin e koduar “Arsti”.

Gjatë operacionit, në territorin e fshatit Arst, u gjetën të kultivuara 130 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, të cilat u asgjësuan me djegie, përveç një pjese që u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua shtetasi S. N., 55 vjeç, banues në fshatin Arst, i dyshuar si autor i kultivimit të këtyre bimëve.

Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për kryeplakun e fshatit Arst, shtetasin M. K., 60 vjeç, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Kontrollet vijojnë në të gjithë territorin e qarkut Shkodër, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike”, thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Të Fundit